Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski sot së bashku me nënkryetarin e partisë, Aleksandar Nikolloski në Budapest ka realizuar takim me kryetarin e partisë FIDESH dhe kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
Siç kumtojnë nga VMRO-DPMNE, në takim janë konstatuar marrëdhëniet e shkëlqyera dhe miqësore ndërmjet dy partive dhe është biseduar për realizimin e qëllimeve strategjike të Maqedonisë.
Por, Orban para se të takohej me liderin e opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski në Kinë është takuar me presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas gazetës shtetërore ruse “TASS”, Orban i tha Putinit se, “Hungaria nuk ka kërkuar kurrë të përballet me Rusinë”.
“Përkundrazi, e kundërta është e vërtetë: Hungaria gjithmonë ka ndjekur synimin për të ndërtuar dhe zgjeruar komunikimin më të mirë”.
Nga ana e tij, Putin tha se “është shumë e rëndësishme që të kemi një shans për të shkëmbyer pikëpamje jo vetëm për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për situatën në botë dhe në Evropë”.
Por, çfarë porosie mori Mickoski nga Orban? Athua i ka komunikuar porosinë që të kundërshtojë edhe më tej ndryshimet kushtetuese dhe me këtë edhe integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian?!
Takimet e tilla sipas njohësve të rrethanave politike në vend, janë sinjal se forca të caktuara politike në vend janë të orientuara në anën e kundërt të përcaktimit strategjik shtetëror që është integrimi në BE. (Politiko.mk)