Pas përplasjes së fermerëve me policinë, kryeministri polak thotë se nuk ka bisedime me “huliganët”

Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, pas përleshjeve të mëdha në kryeqytetin Varshavë ka bërë të ditur se do të bisedojë me fermerët, por jo me ata që kryejnë dhunë, transmeton Anadolu.

“Ka pasur edhe persona që kanë kryer akte dhune ndaj shërbimeve të sigurisë për arsye politike. Një rrjedhë e pakëndshme dhe dramatike e ngjarjeve, por mjaft tipike. Unë nuk dua të flas me huliganët, do të flas vetëm me fermerët”, tha Tusk.

Dje, sipas policisë polake, protestuesit hodhën gurë ndaj policisë dhe kaluan barrierat rreth parlamentit, duke plagosur disa oficerë.

Fermerët, që kërkonin tërheqjen nga Marrëveshja e Gjelbër e Bashkimit Evropian (BE) dhe frenimi i importeve të grurit ukrainas, bllokuan autostradat për në Varshavë dhe mbështetësit u mblodhën para zyrës së kryeministrit para se të marshonin drejt parlamentit.

Fermerëve iu bashkuan minatorët, pylltarët dhe gjuetarët, ndërsa disa prej tyre shkelën një flamur të BE-së.

Policia tha se ka arrestuar dhjetëra persona. Ministri i Punëve të Brendshme, Marcin Kierwinski, njoftoi se ishte e nevojshme të izolohen “provokatorët dhe ngatërrestarët”.

Tusk ka deklaruar se kërkesat e fermerëve janë të justifikuara dhe se ai planifikon të propozojë ndryshime në Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së. Ai po ashtu njoftoi se ka ftuar drejtuesit e fermerëve për një takim pasues këtë të shtunë, por ende nuk ka rënë dakord për negociata.

“Nuk dua të hyj në detaje, por jam shumë i shqetësuar për këtë. Unë dua të jap atë që është e mundur me Marrëveshjen e Gjelbër. Unë mendoj se të shtunën do të kem diçka serioze për t’u njoftuar fermerëve”, tha Tusk në një konferencë për media në Varshavë para se të nisej për një takim në Bukuresht të Rumanisë.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.