Partitë në pushtet me qëndrim të qartë: Ejani të ecim bashkë drejt BE-së

Sot, me 70 vota pro dhe 47 kundër vënies në rend dite, u hap procedrura kuvendore për ndryshimet kushtetuese, me çka mund synohet t’i hapet rruga vendit për integrimin në BE. Në këtë mbledhje, fillimi i së cilës u shënua me një kuriozitet, ku diskutuan 6 deputetë shqiptarë dhe vetëm dy maqedonas!

A do të thotë kjo se gjithë debati kuvendor që pritet të zgjasë dhjetë ditë pune do të shënohet me përçarje, apo ndërkohë do të ketë përafrime qëndrimesh, do të shihet ditëve në vazhdim. Ajo që është e qartë, duket se partitë në këtë fazë të re, kanë hyrë me qëndrimet e pandryshuara, për çka flasin edhe mesazhet që u dhanë.

Për BDI-në, LSDM-në dhe ASH në pushtet, ndryshimet kushtetuese janë hendeku i zgjedhjes për qytetarët, në mbështetjen e Maqedonisë si pjesë e BE-së, apo izolimit të shtetit. Nga ana tjetër opozitarja VMRO-DPMNE mban qëndrim në mos mbështetjen e amendamenteve kushtetuese, apo diktatit bullgar siç e theksojnë ata, se dhe kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski në fjalimin e tij para deputetëve pas votimit të rendit të ditës për nisjen e seancës për ndryshimet kushtetuese tha se të gjithë duhet të votojnë “pro” këtyre ndryshiemve që zhbllokojnë procesin eurointegrues të vendit. Sipas tij, rruga e vendit drejt BE-së ka pasur shumë padrejtësi, por që këto ndryshime duhet të bëhen për hirë të të ardhmes.

“Të rinjtë nuk emigrojnë për shkak të Kushtetutës, ose versionin e tanishëm apo të nesërm të dy neneve. Jo, ata nuk zgjohen dhe nuk flenë me Kushtetutën, por me nevojën normale e njerëzore, që të jetojnë në shtëpi, në mënyrë normale, të pasuruar dhe të qetë, të jetojnë në mënyrë europiane, si bashkëmoshatarët e tyre në qytetet dhe fshatrat europiane”, tha midis tjerash kryeministri Dimitar Kovaçevskinë fjalën e tij para deputetëve.

.Bashkimi Demokratik për Integrim tërësisht dhe pa asnjë mëdyshje mbështet ndryshimet kushtetuese për të ardhmen europiane të vendit tonë. Në komunikatën e sotme të partisë thuhetse ndryshimet kushtetuese janë hap vendimtar për vazhdimin e negociatave integruese me Bashkimin Europian dhe organizimin e konferencës së dytë ndërqeveritare.
Bashkimi Demokratik për Integrim bën apel tek të gjithë partitë politike parlamentare dhe 120 deputetët që të reflektojnë fuqishem në interes të qytetarëve dhe të vendit e jo të bllokojnë procese të rëndësishme siç është integrimi europian.

“Sot ne Kuvend nisi procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe i percaktimit perfundimtar ne vendin tone, ne shoqerine tone, ne skenen tone politike, kush eshte pro integrimit, Europes dhe Amerikes si dhe kush eshte pro izolimit e Rusise. Nuk ka mes, nuk ka alternative, nuk ka rruge tjeter!”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
Deputetët e BDI-së janë shprehur optimistë para vetë fillimit të mbledhje së sotme. Arben Ziberi e ka quajtur shans historik për vendin.“Ky është shans historik, është privilegj për ne që jemi në këtë mandat deputet dhe të shënojmë historinë, të bëjmë hapin e madh drejt BE-së”, ka thënë ai. Ndërsa deputeti Bedri Fazli është shprehur se nuk është I sigurtë për të siguruar shumicë në votim, por optimist se kjo do të realizohet. Deputetja Rina Ajdari ka apeluar që opozita të reflektojë dhe të kontribuojë në të ardhmen europiane të vendit.

LSDM-ja, ka qenë e ashpër me porosinë e saj ndaj VMRO-së. “Nuk ka më vend për Mickoskin dhe manipulimet e tij. Seanca për ndryshimet kushtetuese do të tregojë nëse Mickoski dhe VMRO-DPMNE janë pro apo përfundimisht mbeten kundër BE-së. Me shumë lehtësi, Mickoski thotë se është i gatshëm ta bllokojë të ardhmen evropiane të qytetarëve të vendit, ashtu si Gruevski.

Seanca është mundësia e fundit që Mickoski të tregojë nëse ka zgjedhur integrimin në BE apo izolimin, i ulur në prehrin e “Levica”. Nëse zgjedh “Levicën” dhe bllokun anti-evropian, Mickoski qëndron hapur kundër Maqedonisë së Veriut, kundër interesave të larta kombëtare dhe shtetërore të shtetit ”, ka qenë porosia e LSDM-së për VMRO-DPMNE-në.

Të shumta kanë qenë deklaratat me mesazhe për opozitën ditëve të fundit.

“Është konstatuar se ndryshimet kushtetuese janë teknike, se nuk e cenojnë fare identitetin maqedonas, nuk e cenojnë fare gjuhën maqedonase dhe se askush nuk do të shohë asgjë të keqe nga amendamentet kushtetuese”, ishte shprehur zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi para dy ditësh.

Ndërkaq koordintatori i Grupit Parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrimim, Arbër Ademi, në një intervistë për indeks qe shprehur se “Ky proces ka vetëm benefite, vetëm avantazhe, asnjë lloj dëmi dhe asnjë lloj rreziku ndaj qytetarëve të vendit tonë.”

Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani,mesazhin e tij deputetëve ua kishte dërguar përmes një letre, në të cilën ka thënë se nga vendimi i tyre do të varet nëse vendi do t’i vazhdojë negociatat me BE-në apo do t’i ndalë ato në afat të gjatë pa asnjë garanci. Sipas tij, ndryshimi i Kushtetutës vetëm sa do të forcojë pozitën ndërkombëtare të vendit dhe do të rrisë mbështetjen ndërkombëtare për arritjen e qëllimeve.
Nëse partitë e pushtetit nuk kanë mëdyshje, opozita nuk ndërron qëndrim, por ka ndryshim strategjie.

Sipas kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se gjatë procedurës për ndryshimet kushtetuese do të flasë vetëm njëri prej deputetëve, pas së cilës do të jetë e qartë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese.

“Ata nuk mund ta realizojnë atë që premtuan dhe atë që pranuan asnjë njeri normal nuk do ta pranonte, por e pranuan për të qëndruar edhe një ditë në pushtet. Pas përfundimit do të vazhdojnë me inat kokëfortë në vend që të shkojnë në zgjedhje Kanë marrë obligime në emër të Kuvendit, pa marrë parasysh se nuk kanë një shumicë të gatshme për të dhënë, dhe nuk e kanë një shumicë të tillë sepse në atë kohë nuk kanë biseduar me partinë më të madhe politike”, ka thënë Mickoski.

Edhe nga partia Levica, pas VMRO-DPMNE-së dhe Alternativës, refuzojnë të marrin pjesë në grupet e punës për ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese.

Partitë opozitare shqiptare, në zgripin e orientimit të tyre anti pushtet, janë përpjekur të përfitojnë nga rasti për vetëpromovim, duke kërkuar të futen edhe amendamentet për fshirje të kriterit “20 për qind”, si dhe ndryshimi kundër parashkrimit për rastet e korrupsionit politik.

Share

Go toTop