Maqedonia e Veriut përfaqëson shembull të mirë për ndërtimin e shoqërisë multietnike, por vendi duhet ta fuqizojë besimin në sistemin gjyqësor, ta intensifikojë tempon e reformave lidhur me BE-në si dhe ta përmbushë detyrimin e ndërmarrë për kompletimin e ndryshimeve kushtetuese. Këto janë një nga porositë kryesore që përmban Propozim-raporti për progresin e vendit në rrugën drejt BE-së nga “Pakoja e zgjerimit” të Komisionit Evropian, që zyrtarisht u miratua nga Komisioni Evropian.
Përveç miratimit të ndryshimeve kushtetuese, në Raport theksohet nevoja e “zbatimit me vullnet të mirë” të marrëveshjeve dypalëshe me vendet fqinje, gjegjësisht Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë. Në dokument bëhet thirrje edhe për intensifikim të tempos së reformave lidhur me afrimin drejt BE-së, para së gjithash në fuqizimin e sundimit të drejtësisë, rritjen e besimit në sistemin gjyqësor, si dhe zbatimit të hetimeve, ndjekjen dhe përfundimin final të proceseve afatgjate gjyqësore lidhur me “persona me profil të lartë”.
“Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojë me zbatimin e reformave lidhur me anëtarësimin në BE, para së gjithash ato nga Grupi ‘Vlera themelore’, si dhe reformat gjyqësore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në Propozim-raportin. Në pjesën e procesit të anëtarësimit të vendit përkujtohet se Konferenca e Parë Ndërqeveritare BE-Maqedonia e Veriut, me çka ishte shënuar fillimi zyrtar i bisedimeve për anëtarësim, u mbajt në korrik 2022, ndërsa procesi i skriningut për të gjitha gjashtë grupet përfundoi në dhjetor të vitit 2023.
“Komisioni pret me padurim ndjekje të shpejtë dhe vendimtare të raportit të skriningut për Grupin ‘Vlerat themelore’, duke përfshirë edhe në lidhje me udhërrëfyesit e vendit në përputhje me Kornizën Negociuese, me qëllim që të hapet grupi i parë sa më shpejt të jetë e mundur, kur të plotësohen kushtet relevante”, thuhet në Propozim-raportin e KE-së për vendin.