Deri tani janë kontaktuar 150 qytetarë tanë nga Izraeli, prej të cilëve 60-të tashmë janë kthyer, ndërsa 90-të të tjerë presim nesër, gjatë ditës të gjithë të kthehen në Maqedoninë e Veriut, informoi ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
Ambasada në Kajro, theksoi Osmani, është në komunikim me një çift që gjendet në zonat e rrezikuara në Gaza, që është izoluar nga Izraeli, pasi nuk kanë arritur të dalin para se të mbyllet vendkalimi i vetëm kufitar me Egjiptin.
“Ata për momentin janë të sigurt. Situata atje është shumë e ndryshueshme dhe mund t’i konsiderojmë të jenë në një lloj rreziku. Ne po punojmë gjithashtu me autoritetet në Egjipt për t’i liruar ata dhe më pas do të organizojmë transportin nga Egjipti. Mirëpo, për momentin nuk kemi si t’i nxjerrim nga Gaza”, tha Osmani.
Disa nga qytetarët që u gjetën në zonat e rrezikuara në rajonin e Gazës, mbërritën mbrëmë në Athinë me aeroplan dhe tashmë janë nisur për në shtëpi. Në Athinë, Osmani theksoi se ata janë pritur nga ambasada jonë, prej nga janë transferuar me autobus deri në kufi, prej ku MPJ i ka marrë me automjete dhe i ka dërguar në shtëpitë e tyre.
“Kështu u kthyen mbrëmë pesë persona dhe sot në mëngjes edhe 17 të tjerë nga ata njëzet që ndodheshin në zonat e rrezikuara tashmë kanë mbërritur në Athinë dhe aktualisht janë rrugës për në Selanik dhe Ministria e Punëve të Jashtme organizon transportin dhe i pret në kufirin dhe organizon transport për në shtëpitë e tyre”, tha Osmani.
Sipas Osmanit, fillimisht fokusi ishte identifikimi, kontaktimi dhe nxjerrja e qytetarëve tanë nga zonat e rrezikuara dhe më pas transportimi i tyre në Tel Aviv, ku funksiononte aeroporti. Osmani gjithashtu falënderoi dhe theksoi se një pjesë e qytetarëve të kthyer kanë ardhur përmes Jordanisë, Shqipërisë, Turqisë, Malit të Zi dhe Serbisë.
I pyetur për koment mbi informacionet e komunitetit hebre në vend, për gjoja vdekjen e tre shtetasve maqedonas në Izrael, Osmani tha se nuk kanë informacion të tillë. sa/