Osmani: Koha të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje me BE-në dhe ShBA-në

Përgjegjësia për situatën e krijuar megjithatë mbetet në Serbi, është e mendimit Osmani, e cila e akuzoi presidentin serb, Aleksandar Vuçiç që është kthyer në strategjinë e vjetër që krijon krizë pas krizash duke bllokuar suksesin dhe zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

“Serbët kishin instrumente të ndryshme që mund të ishin përdorur nëse do të donin të kontestonin legjitimitetin e kryetarëve të komunave që u zgjodhën. Por ata nuk përdorën asnjë nga ato mjete kushtetuese demokratike për ta bërë këtë”, u ankua presidentja.

Edhe dialogu, është e mendimit presidentja e Kosovës, duhet të jetë më i balancuar: “Mendoj se një nga arsyet kryesore pse kemi këto tensione gjatë gjithë kohës është edhe për shkak të zhgënjimit se si po shkon dialogu”, tha ajo në përgjigje të pyetjes së Deutsche Welles, në lidhje me rolin e BE-së si ndërmjetësues në normalizimin e marrëdhënieve me shtetin fqinj.

Kritikë pati Osmani ndaj vendeve aleate që nuk kanë reaguar ndaj shkeljeve të bëra nga Serbia: “Ka pasur shkelje të vazhdueshme në këto dy muajt e fundit, që nga 18 marsi, kur u bë marrëveshja, por asnjëherë deri më tani nuk kemi dëgjuar një lloj deklarate nga Bashkimi Evropian duke thënë, po, kjo është një shkelje e marrëveshjeve. Mendoj se kjo po e inkurajon Serbinë që të mos kujdeset për procesin dhe po dëmton besueshmërinë e procesit të dialogut”, tha ajo.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një nga kërkesat kyçe të partnerëve ndërkombëtarë në dialog, ajo tha se “jemi të gatshëm të bëjmë më shumë për serbët që jetojnë në vendin tonë, që ata të ndihen të barabartë, të ndihen të dëgjuar, të ndihen të përfshirë. Kosova është shtëpia e tyre. Por në të njëjtën kohë, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm për të shmangur çdo lloj modeli që do të ngjante me Republikën Srpska. Edhe një kushëri i largët i Republika Srpska është shumë i rrezikshëm për rajonin tonë”, tha Osmani.

Osmani kujtoi se konstrukte të tilla janë të rrezikshme jo vetëm për rajonin por për gjithë Evropën për sigurinë kolektive të Evropës si të tillë. Ajo tha se Rusia ka interes për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor.

“Serbia po vepron me Kosovën sipas skriptit të Putinit. Është një kopjim i plotë i asaj që bëri Putin në 2014 në Krime. Ata shfrytëzojnë komunitetet pakicë, abuzojnë me to. I bëjnë ata të heqin dorën nga punët e tyre në institucione, krijojnë operacione false”, ka deklaruar ajo.

Sa për procesin e liberalizimit të vizave, ajo tha se nuk beson se ai do të ndalet, sikurse ishte aluduar nëpër media.

“Na janë dhënë garancitë e siguruara nga institucionet evropiane se kjo nuk do të ndodhë. Të paktën deri tani. Kjo është pikërisht ajo që kemi dëgjuar dhe na është thënë, jo vetëm e dëgjuar nga të tjerët, por sigurisht, duke folur me institucionet evropiane”, siguroi presidentja.

Osmani ndodhet në Berlin me ftesë të presidentit, Frank Walter Steinmeier për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale (17-26.06.2023) për personat me aftësi të veçanta. Por presidentja e Kosovës e shfrytëzoi këtë ftesë për të bërë një sërë takimesh me aktorë të rëndësishëm politikë në Gjermani. Ajo ndër të tjera pati edhe një takim në Komisionin e Jashtëm të Bundestagut.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.