OKB: Ndërprerja e furnizimeve nga Izraeli mund ta lë Gazën pa energji dhe ujë të pijshëm

October 10, 2023

Agjencia humanitare e OKB-së vlerëson se ndërprerja e furnizimit nga Izraeli mund ta lë termocentralin e Gazës pa karburant brenda disa ditësh, si dhe mund të shkaktojnë mungesë të madhe të ujit të pijshëm për 610 mijë njerëz, raporton Anadolu.

“Autoritetet izraelite kanë ndërprerë furnizimin me energji elektrike në Rripin e Gazës, duke reduktuar orët e energjisë elektrike në 3-4 orë në ditë. Termocentrali i Gazës është aktualisht i vetmi burim energjie dhe karburanti mund t’i mbarojë brenda disa ditësh”, tha Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), në një konferencë për media në Gjenevë.

Lidhur me ndërprerjen e furnizimit me ujë, Laerke tha: “Ky vendim prek mbi 610 mijë njerëz në Gaza dhe do të rezultojë në një mungesë të madhe të ujit të pijshëm”.

James Elder, zëdhënësi i UNICEF-it, shprehu gjithashtu shqetësim për vendimin e ndërprerjes së furnizimit të marrë nga Izraeli.

“UNICEF-i është i alarmuar nga pezullimi i furnizimit me ujë dhe ushqim në Gaza”, tha Elder, duke ua kujtuar palëve detyrimet e tyre sipas ligjeve ndërkombëtare.

Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit herët të shtunën, duke lëshuar një breshëri raketash dhe duke u infiltruar në Izrael nga toka, ajri dhe deti. Grupi palestinez i rezistencës tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të bastisjeve në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve kundër palestinezëve.

Si hakmarrje, ushtria izraelite nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër Hamasit në Gaza.

Numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Gaza është rritur në 704, përfshirë 143 fëmijë dhe 105 gra, tha sot herët Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza. Ndërkaq, numri i të plagosurve është rritur në rreth 4.000.

Ndërkohë, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, të paktën 900 izraelitë janë vrarë dhe mbi 2.600 të tjerë janë plagosur në luftime.

Previous Story

Kina hap hekurudhën e parë me shpejtësi të lartë mbi detare

Next Story

Analizë: Opozita shqiptare mos e ndjek VMRO-në, të “vegjël” të maten me Ali Ahmetin!

Latest from Blog

Go toTop