Ekipi i FC Shkupit dje edhe zyrtarisht ka njoftuar se trajneri turk, Cihat Arslan është larguar nga Çairi, raporton indeks.mk.
Sipas njoftimit zyrtar, largimi ka ardhur për shkaqe familjare. Në njoftim, thuhet se kryesia e ngushtë e klubit ka nisur kërkimet për të gjetur zëvendësuesin e turkut që do të jetë në krye të Shkupit.
Indeks.mk ka rënditur disa emra të trajnerëve vendorë që mund të vijnë në krye të pankinës së ekipit nga Çairi.
I pari është Arben Nuhiu, ish futbollist i këtij ekipi po edhe ish ndihmës trajner, para se drejtimin e ekipit ta merr tashmë i larguari, Cihad Arslan.
Si një njohje e vjetër e çairasve, Nuhiut mund t’i besohet drejtimi i skuadrës.
I dyti në këtë listë është, Qatip Osmani, i cili gjithashtu është ish trajner i FC. Shkupit dhe njohës shumë i mirë i kampionatit të Maqedonisë dhe kampion disa herë me Shkëndijën e Tetovës, që një periudhë, pas shuarjes së ekipit të Renovës është pa angazhim.
I treti në listën e përpiluar nga Indeks.mk është trajneri që ktheu titullin kampion në Çair pas shumë vitesh mungesë, Goce Sedloski, që njihet për raportet e mira që ka me investitorët e klubit nga Çairi.
Edhe pse u përmend si zëvendësues i selektorit të ekipit A të Maqedonisë, kjo gjë nuk ndodhi dhe kjo mund të jetë arsyeja e kthimit të Sedloskit në Çair, ambient të cilin e njeh shumë mirë trajneri maqedonas.
Emrat e tjerë që mund të marrin drejtimin e skuadrës së lënë nga Cihat Arslan janë edhe ish trajneri i Strugës, Sergjan Zaharievski dhe ish trajneri i Akademia Pandev dhe Sofjes, Aleksandar Vasoski.
Të gjithë këto trajnerë janë në lojë nëse kryesia e klubit nga Çairi vendosë që në karriken e nxehtë të lënë bosh nga Arslan të ulin një trajner që njeh mirë kampionatin vendorë dhe të emërojnë një trajner që është me prejardhje nga vendi./indeks.mk/.