NQP: Transporti publik nesër do të funksionojë pa ndërprerje, arsyeja e grevës së sindikatës është jolegjitime

Transporti urban publik do të funksionojë rregullisht dhe pa vonesa edhe krahas informacioneve të disa mediave dhe strukturave të caktuara se Shkupi nesër do të mbesë pa transport publik, thuhet në reagimin e NQP-së të publikuar në profilin e tyre në Fejsbuk rreth grevës së nesërme të paralajmëruar në këtë ndërmarrje publike.

“Duam të theksojmë se arsyeja për grevë e sindikatës së sapoformuar, e katërta me radhë, është jolegjitime sepse nga 1 qershori është rritur paga e të gjithë të punësuarve në NQP. Ju bëjmë thirrje mediave dhe sindikatave që të mos lejojnë që të instrumentalizohen nga politikanë dhe politikanë banditë”, theksojnë nga NQP në publikimin.

Elizabeta Toshevska, përfaqësuese e Sindikatës Spajs pranë NQP-së, më parë në një deklaratë për MIA-n tha se autobusët e NQP-së nesër do të vozisin me itinerar të reduktuar, sepse të punësuarit do të grevojnë para ndërtesës administrative të ndërmarrjes publike nga ora 4:30 deri në orën 12:30.

Ajo potencoi se të punësuarit do të grevojnë për shkak të, siç tha, kërkesave të paplotësuara dhe sjelljes injoruese të udhëheqësisë së ndërmarrjes publike rreth kërkesave në Marrëveshjen Kolektive. Toshevska thotë se këtë hap e ndërmarrin sepse nuk ka harmonizim të pagës minimale me Marrëveshjen Kolektive në nivel të punëdhënësit, gjegjësisht rritje për 2.170 denarë për të punësuarit në ndërmarrje, si dhe shkeljen e të drejtave nga marrëdhënie e punës dhe shëndetit gjatë punës.

Nëse askush nga udhëheqësia e NQP-së nuk i pranon në bisedë, siç paralajmëroi, ata pas orës 12:30 do të shkojnë në shtëpi dhe në Shkup përsëri nuk do të ketë autobusë.

“Shkak për grevën është harmonizimi i pagës minimale me Marrëveshjen Kolektive, mospagesa e orëve për punë jashtë orarit të punës, mospagesa e ushqimit për punëtorët që punojnë në mbrëmje nga ora 22 deri në orën 6, diskriminimi i shoferëve të rinj, persona të cilët janë me licenca dhe që vlen kudo në botë, ndërsa këtu bëjnë pjesë edhe shoferë më të rinj në moshë”, tha Toshevska.

Share

Go toTop