Një Kolanë veprash më shumë se shkencë

Tetë vëllimet e profesor Ismail Ahmedit tashmë kanë zënë vend në fondin e artë të kulturës dhe letërsisë shqipe dhe më gjerë. Krijimtaria e vyer e profesorit i ka kaluar kufijtë dhe është bërë fond i shquar i akademikëve gjithandej në botë. Kolana është pa dyshim dhurata më e shkëlqyer për vendet tona dhe trashëgimi për botën studimore shqiptare, thanë të pranishmit në promovimin e 8 Vëllimeve të profesor Ismail Ahmedit

Një kolanë veprash që pasqyron më shumë se shkencë. E tillë është vlerësuar Kolana e me 8 Vëllime të profesor Ismail Ahmedit promovuar sot në Tiranë, ndërsa për të folën studiues nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria.

Aktiviteti i organizuar nga Fondacioni Alsar dhe Shtëpia Botuese “Logos A” u zhvillua në Tiranë, ndërsa morën pjesë numër i konsiderueshëm studiuesish e intelektualë që vlerësuan lartë veprën e profesor Ismail Ahmedi. Me këtë rast, fjalë rasti në promovimin e Kolanës mbajti edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ndërsa mirënjohje për punën shumëvjeçare në arsim, si dhe për kontributin e tij shkencor shumëdimensional në arsim, profesor Ismailit i ndau ministri i Arsimit i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shaqiri. Fjalë përshëndetëse mbajti edhe nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Hysni Ismaili, ndërsa prof.dr. Xhevat Lloshi, prof.dr. Milazim Krasniqi, prof.dr. Sali Bashota, prof.dr. Agim Baçi, si dhe prof.dr. Adnan Ismaili paraqitën kumtesat e tyre për Kolanën e veprave të profesor Ismail Ahmedit.

Mehdi Gurra, president i Fondacionit “Alsar” tha se 8 vëllimet e profesor Ismail Ahmedit tashmë kanë zënë vend në fondin e artë të kulturës dhe letërsisë shqipe dhe më gjerë. “Krijimtaria e vyer e profesorit i ka kaluar kufijtë dhe është bërë fond i shquar i akademikëve gjithandej në botë. 8 vëllimet e profesorit janë pa dyshim dhurata më e shkëlqyer për vendet tona dhe trashëgimi për botën studimore shqiptare”, tha Mehdi Gurra i Fondacionit “Alsar”.

“Uroj dhe përgëzoj sa më shumë gërvishtje të autoriteteve që kontribuuan në ngritjen e edukimit të brezave tanë, sepse e kaluara jonë është thesar i pashtershëm kombëtar dhe fetar i shqiptarëve. Ata të cilët e harrojnë të kaluarën, vërtet nuk dine ta ndërtojnë të ardhmen”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. Prandaj, shtoi ai, çdo studim sikurse këta të profesor Ismailit, nxjerrin në pah të kaluarën dhe njëherësh kontribuojnë për të ardhmen tonë të përbashkët.

Fjalë rasti mbajti edhe ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ndërsa vlerësoi se 8 Vëllimet e profesor Ismailit lënë gjurmë të thellë në kulturën dhe letërsinë shqipe.

“Falënderoj profesorin që mori mundin t’i sistemojë kaq bukur tetë vëllimet dhe me këtë, të plotësojë veprat si të Sami Frasherit, Hafiz Ali Korçës, si dhe shumë personaliteteve të kombit tonë që vepronin si personalitete shumëdimensionale. Kolana me tetë vëllime pa dyshim se forcon identitetin si fetar, ashtu edhe kombëtarë në trojet tona, por edhe më gjerë”, tha ministri Shaqiri.

THEMELUESI I ORIENTALISTIKËS NË TETOVË DHE PRISHTINË

Prof. Ismail Ahmedi u lind më 10 dhjetor 1947 në fshatin Zajaz të Kërçovë. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, atë të mesëm në Medresen Alaudin në Prishtinë, ndërsa studimet në Fakultetin Gjuhë – Letërsi dhe Jurisprudencë Islame në Universitetin e Bagdadit. Po kështu, kreu studimet pasuniversitare në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Arabe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Kuvajtit, ndërsa doktoroi në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Që nga tetori i vitit 1974 ishte mësimdhënës në Degën e Orientalistikës në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe mbi dy dekada e drejtoi këtë degë. Ishte profesor ordinar i lëndëve gjuhë arabe dhe letërsi arabe.

Veprimtaria e tij arsimore dhe shkencore ndërlidhet me themelimin e Degës së Filologjisë Orientale në Universitetin e Tetovës, ndërsa kontributi udhëheqës në këtë institucion përfshin periudhën e viteve 2004-2006 dhe 2009-2012 ku punoi prorektor për arsim në këtë universitet.

Ismail Ahmedi është njëri ndër themeluesit e institucioneve të larta universitare dhe institucioneve të larta arsimore islame në Kosovë dhe në Maqedoni. Është ndër themeluesit e Orientalistikës në Prishtinë, ndër themeluesit e Universitetit të Tetovës, të Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup dhe të Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, si dhe njëri nga përpiluesit e Plan-programit mësimor në këto dy institucione, pastaj themelues i studimeve të specializuara pasuniversitare: Metodikë e mësimdhënies së mësimit fetar, në Universitetin e Tetovës.

Ismail Ahmedi është kryetar i Redaksisë shkencore për hartimin e Enciklopedisë së Kuvajtit për botën islame dhe pakicat muslimane (Libri për Maqedoninë e Veriut), si dhe bashkëpunëtor i Enciklopedisë Islame të Dijanetit në Turqi. Ka marrë pjesë në shumë simpoziume dhe konferenca shkencore, veçanërisht me studime për gjuhën dhe letërsinë arabe, pastaj studime për historinë dhe kulturën islame, të cilat janë botuar në shtypin shkencor, si brenda, po ashtu, edhe jashtë vendit.

AUTORI I PARË I TEKSTIT MËSIMOR NË GJUHËN ARABE

Ismail Ahmedi është ndër autorët e parë te ne të tekstit mësimor në gjuhën arabe, si dhe autor i disa veprave në shqip dhe arabisht. Sa herë që në kulturën shqiptare do të përmendet emri i madh i rilindësit shqiptar, Hafiz Ali Korça, ai pandashmërisht do të lidhet me emrin e prof. Ismail Ahmedit, sepse është profesori, ai që për vite të tëra me punë të mundimshme e përgatiti botimin e tij dhe përveç kësaj – realizoi një studim monografik që do të jetë pikë referimi për studiuesit që merren me studime që i përkasin kësaj fushe.

Nuk do ta tepronim dhe kjo nuk do të ishte nënvlerësim për Hafiz Aliun, por tashmë pranohet gjerësisht se Korça u bë i njohur në kulturën shqiptare në përmasat që është sot, vetëm pas botimit të veprës studimore të prof. Ismail Ahmedit. Kjo edhe është arsyeja që kjo seri hapet me monografinë mbi Hafiz Aliun, duke i qëndruar gjithnjë besnik mendimit se vlera dhe rezultati më i rëndësishëm shkencor i prof. Ismail Ahmedit, sigurisht mbetet vepra studimore për Hafiz Ali Korçën.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.