Një kandidaturë problematike/ Koncepti me shumë të panjohura i Davkovës për rregullim të brendshëm dhe dilema se nga “shikon” jashtë?!

March 14, 2024

– Duke analizuar të gjitha aspektet, kandidatura e saj ka dhe një dimension tjetër, atë të bashkëpunimit eventual të VMRO-së me partitë opozitare shqiptare, sepse për këto të fundit do të jetë një sfidë e papërballueshme, të përkrahin orientimin politik që bie ndesh me përcaktimet e tyre euroatlantike…

Shkruan: indeks.mk

Në shikim të parë, çështja e konceptit politik dhe orientimit gjeopolitik mund të konsiderohet një akuzë normale brenda fushatës, por gjërat nuk duhet parë vetëm nga ai prizëm, por dhe çka ka të vërtetë në të. Nga tabori i presidentit aktual Stevo Pendarovski, ditë më parë, patën akuzuar se VMRO-DPMNE-ja e ka degraduar funksionin e Presidentit, të cilin mund ta kryejë vetëm ndonjë “i dëgjueshëm partie”, në vend se ndonjë personalitet me bekgraund profesional e mbipartiak, që e kishte paralajmëruar më parë, sepse kandidatja aktuale, deri tash, ia ka mbrojtur me zell qëndrimet e partisë dhe si e tillë, assesi s’mund të jetë mbipartiake.

Ky është njëri dimension që vjen si një “trajtesë” nga tabori i presidentit aktual, që përmbajtësisht bie në atë që mund të quhet demagogji që buron nga VMRO-ja. Sepse, ka premtuar një gjë(kandidat mbipartiak), dhe krejtësisht tjetër ka vendosur VMRO-ja-një nga deputetet e zjarrta të veta nga foltorja e parlamentit. Megjithëse, të jemi të sinqertë, ka diçka të vërtetë nëse kthehemi në të kaluarën: Davkova në garën e para pesë vitesh, nuk ishte nga pozicioni i një anëtareje të VMRO-së, por e kësaj partie këmbë e kokë u bë ndërkohë si deputete e devotshme. Si për të dëshmuar “vmroizmin” e saj.

Megjithëse, shikuar objektivisht, problemi me Davkovën nuk qëndron në përkatësinë e saj momentale në VMRO, por në mosevoluimin e saj nga vitet kur kishte atë mendësi të njëjtë që prodhoi krizat e mëvonshme në të cilat kaloi Maqedonia. Sepse, siç thonë me të drejtë nga shtabi i presidentit aktual, Gordana Siljanovska-Davkova është profiluar që në periudhën 1992-1994, si ministre Drejtësisë në qeverinë e Branko Cërvenkovskit, por si përfaqësuese e një partie tjetr dhe rreshtimi i tashëm si kandidate e VMRO-së, bindesh me gjithçka të kaluar të biografisë së saj.

E përmendim këtë fakt, sepse ajo, me sa mbajnë mend gjeneratat e atëhershme, ishte një nga aktivistet më të zellshme e Partisë së Re Progresive, që lindi nga Lidhja e Rinisë, që mëpas u shkri te Forcat Reformuese që lindi si degë e partisë së ish-kryeministrit të fundit të Jugosllavisë, Ante Markoviq. Por paradoksi me Davkovën qëndron në faktin se përderisa këto forca duhej të sillnin diçka të re dhe më demokratike, ajo vetë edhe sot është në botën e vet të vetëdijes për ta kthyer Maqedoninë në kohë të kaluara.

Çuditërisht, në disa biografi të Davkovës që janë të kapshme në internet(Wikipedia, Kuvendi i Maqedonisë), nuk figuron fakti biografik i anëtares së Partisë së Re Progresive, që u bë pastaj pjesë e Forcave Reformiste(më vonë e riemëruar në Parti Liberale), që lë hapësirë për supozim nëse ajo tash si një VMRO-iste e ndërgjegjësuar, nuk dëshiron të kujtojë të kaluarën, edhe pse nuk ka arsye pse të mos e bëjë, kur dihet se ajo parti, me të ose pa të si anëtare(nuk e dimë saktë kur e ka braktisur ose nëse e ka braktisur, për llogari të angazhimit si profesoreshë), ka pasur edhe koalicionime me partinë e tashme, VMRO-DPMNE.

Duhet thënë se Gordana Siljanovska-Davkova është ndër ato ithtare të konceptit rigjid të shtetit etnocentrik, e cila është kundër avancimit të të drejtave të bashkësive tjera. Kështu, me ngulm luftoi kundër ligjit për përdorimin e gjuhëve, pra, kundër avancimit të gjuhës shqipe, si gjuhë që flasin pothuajse një e treta e popullsisë. Ajo haptas ka deklaruar se nëse bëhet presidente, do të rikthejë në procedurë ndërrimin e emrit dhe fshirjen e Marrëveshjes së Prespës, duke kundërshtuar edhe Kornizën e negociatave për inkuadrim në BE.

Një kandidate e tillë, e cila vjen nga një orientim tjetër, është “akomoduar” shumë bukur me filozofinë politike të VMRO-DPMNE-së, për ta penguar vendin në rrugën drejt BE-së. Koketimi i këtillë, vërtet e bëjnë të rrezikshme për perspektivën e vendit, sepse nëse nesër ajo dhe partia e saj fitojnë zgjedhjet, hapin një kapitull të panjohur dhe të pasigurt për vendin, që për pasojë mund të ketë humbjen e ardhmërisë evropiane.

Pyetja se nga do ta orientojë vendin një presidente si ajo, është enigma më e madhe. Dhe s’do të ishte kurrfarë risie, sepse edhe presidenti i mëparshëm nga radhët e VMRO-së, Gjorge Ivanov, ishte i njohur për akrobacionet që kanë mbetur sot e kësaj dite ekzemplarë të humbjes së rrugës në oborr! Sepse, atij i bënin vërejtje se (zyrtarisht) shikon nga Perëndimi, kurse me zemër është nga Lindja(Rusia), ku madje edhe kishte pranuar një mirënjohje të lartë në vitin 2016. Është fjala për mirënjohjen që ia kishte ndarë atëherë Krypeshkopi Kiril, gjegjësisht “Shkëlqesia e Tij Kryepeshkopi i Moskës dhe i gjithë Rusisë, Alekseji i Dytë” në një ceremoni organizuar në Kishën “Krishti Shpëtimtar”.

Mirënjohja i qe ndarë për angazhimet e Ivanovit për forcimin e marrëdhënieve ndër ortodoke, rolin e religjionit në vendosjen dhe forcimin e parimeve të tolerancës fetare. Këtë çmim e ndante Fondacioni ndërkombëtar për unitet të popujve ortodoksë, që është themeluar në vitin 1995, me bekimin e Patriarkut të Moskës dhe Gjithë Rusisë Alekseji i Dytë.

Vallë, ku e sheh Maqedoninë Davkova? Pjesë të pansllavizmit dhe ortodoksisë, apo të botës perëndimore? Me paralajmërimet për disa rishikime të Kushtetutës, hap shumë supozime.
Duke analizuar këto aspekte, kandidatura e saj ka dhe një dimension tjetër, atë të bashkëpunimit eventual të VMRO-së me partitë opozitare shqiptare, sepse për këto do të jetë një test i rëndë, madje pengesë e pakapërcyeshme, të përkrahin orientimin politik të saj që bie ndesh me përcaktimet e tyre evroatlantike. Si do ta përballojnë këtë, mbetet të shihet në raundin e dytë zgjedhor.

Previous Story

Tronditje në Lëvizjen BESA – Xhermë, gjithë dega kalon në PDE-në e Hoxhës (FOTO)

Next Story

Taravari godet opzitën: S’më interesojnë këto zgjedhje i mendoj zgjedhjet lokale vitin e ardhëshëm

Latest from Blog

Go toTop