Nis manifestimi “Ditët e Alfabetit”, Grubi: Le të shpalosim para syve të mbarë botës vlerat tona gjuhësore e kulturore!

Me një mbledhje të përbashkët të tri Akademive të Shkencave, nga  Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, ka filluar sot edicioni i pestë i manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”.

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi i cili hapi këtë manifestim, përmes një postimi në rrjetin social Facebook shkruan se organizime të tilla të muajit nëntor synojnë të shprehin madhështinë e historisë së kombit shqiptar.

Grubi ndër të tjera ka uruar mbarësi në të gjitha aktivitetet e parapara për të shënuar “Ditët e Alfabetit”.

Statusi i plotë:

Në godinën e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut bashkë me drejtorin e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani, Akademik Abdylmenaf Bexhetin nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Maqedonisë, Akademik Vasil Tolen, nënkryetar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Akademik Mehmet Krajën, kryetar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Republikës së Kosovës dhe Drejtorin e Arkivave të Shqipërisë, z. Ardit Bidon, bëmë sot hapjen solemne të edicionit të pestë të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët e Alfabetit”. Përmes kësaj tradite të mirëfilltë organizative synojmë të shprehim madhështinë e një prej çasteve më të rëndësishme në historinë e kombit tonë, Kongresin e shkronjave shqipe të Manastirit në vitin 1908, të hedhim dritë mbi fakte, studime e botime nga sfera e albanologjisë që dokumentojnë lashtësinë e gjuhës sonë dhe mjeshtërinë e saj kur e njejta është vendosur në letër përmes shkronjave.

Uroj mbarësi në të gjitha aktivitetet e parapara në kuadër të “Ditëve të Alfabetit”! Le të shpalosim para syve të mbarë botës vlerat tona gjuhësore e kulturore.

 

Share

Go toTop