Maqedonia e Veriut po bën përpjekje të mëdha për të mbrojtur dhe përmirësuar pyjet e vendit dhe pasurinë natyrore, theksoi në Konferencën e parë ministrore për pylltari, ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski.
Ai tha se në një partneritet të fortë me Bashkimin Evropian, vendi vazhdon përpjekjet për të reformuar sektorin pyjor në vend. Kjo është një iniciativë e domosdoshme që synon të sjellë pylltarinë e RMV-së në përputhje me standardet evropiane, tha Nikollovski.
“Së bashku në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, përmes programit IPA po punojmë në një projekt të madh dhe domethënës për reformimin e sektorit pyjor në Maqedoninë e Veriut. Një projekt që do të realizohet përmes katër nënkomponentëve dhe do ta afrojë pylltarinë e RMV-së me standardet evropiane. Me programin për riprodhimin e zgjeruar të pyjeve, si Ministri kemi përcaktuar qartë udhëzimet për pyllëzime të planifikuara të pastrimeve, tokave erozive dhe sanimit të sipërfaqeve pyjore të djegura. Përmes këtij programi vitin e kaluar janë mbjellë mbi 400,000 fidanë në disa rajone të vendit, ndërsa për këtë vit 2023 janë planifikuar 1,200,000 fidanë.”, – deklaroi ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski.
Nikollovski shtoi se RMV-ja është e përkushtuar në të ardhmen e gjelbër, duke synuar të krijojë një mjedis më të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm për brezat e ardhshëm.