Në 25 vjetorin e rënies së dëshmorit Kolë Ndrecë Mirdita

Flijimi i madh për një çështje të madhe

Më 9 korrik të vitit 1998, në kohën kur Lufta e Kosovës ishte në kulmin e saj dhe shqiptarët e mbështetur politikisht nga Perëndimi ende nuk mund t’i përfytyronin avionët e NATO-së mbi Beograd, në Rrasën e Zogut, një pikë kjo në kufirin që ndante atëbotë Kosovën nga Shqipëria si një pellg i madh gjaku, vritet nga serbët djaloshi me uniformën e UÇK-së nga Ranoci i Klinës. Askush nuk e di saktësisht se si u vra, rrethanat e kësaj vrasjeje mbetën të pandriçuar edhe një çerekshekulli më vonë, rrethana tipike lufte në front, por eshtrat e tij u gjetën 2 vjet pas lufte në fushën e betejës. Identifikimi u bë në bazë të rruzares që ia kishte varur në qafë nëna e tij, për ta mbrojtur nga plumbat.

Poeti Ismail Kadare në poezinë e tij „Retë“ na e jep një situatë që ka vlerë paradigmatike për çdo ushtar kombëtar:
„Mes maleve tutje prej tokës lindore,

seç ra një ushtar nën plumbat mizore.

As kryq nuk i vunë, s’e shtinë në tokë,

as nënë e as motër s’iu gjendën mbi kokë.

Veç retë që vinin që larg nga vatani

e panë dhe e njohën e zunë të qanin.“

Kola në këtë kohë kishte vetëm 22 vjet. Gjyshi i tij nga nëna, Pjetër Jaku, ishte 47 vjeç në vitin 1945 kur u rrëmbye nga komunistët serbë dhe s‘u kthye më kurrë në shtëpi. Pak a shumë në moshën e Kolës kishte qenë Pjetër Jaku kur me 14 tetor 1929 vritet në prit nga xhandarët serbë prifti dhe patrioti i madh shqiptar At Shtjefën Gjeçovi. Dhe mësuesi shpirtëror i Pjetër Jakut. Këto tri vrasje në shekullin XX bëhen pjesë e tronditjes që madhe kombëtare që dëshmojnë se serbët për shqiptarët në Kosovën e robëruar ishin kthyer në vrasës dhe vetëm në këtë rol pranoheshin nga shqiptarët në tokën e tyre. Por a duhet ta pranonin vetë serbët një rol të tillë? Rrjedha e historisë së marrëdhënieve serbo-shqiptare dëshmon se ata, serbët, më saktë elitat e tyre, e pranuan këtë rol si një përpjekje donkishoteske për të sunduar dhe zhdukur një popull që mund të ishte një fqinj tepër i mirë e besnik. Një njeri si Shtjefën Gjeçovi që i bënte thirrje shqiptarit të nëpërkëmbur për të ngritur kryet në mbrojtje të dinjitetit dhe qenies së tij kombëtare, herët a vonë do të paguante me çmimin e jetës fjalët e tij:

„Shqyptaar vllaa, duëje giuhen t’ânne me nji dashtnii t’perflakëshme, jetò per të e dis per të! Nji qi nuk e don giuhen e vet, as komin e vet s’e don. Giuha e jonë edhe dija jânë shum t’nevojshme per nee, e moskenja e giûhës edhè e padija e kanë lânë Shqyptarin mrapa mje m’sod e nieri i padijshem âsht si drûni i pa dhênun.“

Në fillim ishte fjala. Gjithçka erdhi pas saj.

Kush mendonte kështu dhe vepronte politikisht sipas këtij testamenti atdhetar, kishte pjesë e një fronti të madh edhe para se të shkonte në luftë, d.m.th. fati i tij jetësor ishte i paracaktuar. Por a mund të tërhiqej një djalosh idealist nga kjo luftë e madhe? Kurrë!

Distanca kohore prej një çerekshekulli i bën gjërat më të qarta. Për një kohë të tillë shumë gjëra harrohen, por ka edhe disa të tjera që nuk mund të harrohen kurrë. Përkundrazi. Ato bëhen pjesë e pandashme e kujtesës kombëtare. Vetëm pas një periudhe të tillë shfaqen edhe dimensione të tjera të ngjarjeve të mëdha historike që për disa, me sa duket, nuk kanë ekzistuar kurrë. Në fakt lufta jonë e madhe për dinjitet dhe pavarësi nuk do të mund të quhej e tillë pa këto dimensione kulturore e shpirtërore. Shqiptarët ishin të dhunuar para së gjithash në pikëpamje qytetërimore. UÇK-ja nuk na ndau nga Perëndimi, siç përpiqen të na bindin disa aty-këtu sot, por ajo na lidhi edhe më fortë me të. Sepse, siç ka shkruar Carl von Clausewitz, lufta nuk është asgjë tjetër veçse vazhdim i politikës me mjete të tjera. Politika jonë ishte ajo e gatishmërisë për të vdekur për gjuhën dhe vendin tonë. Këto bindje e çuan Kolë Mirditën në luftë dhe me këto bindje vdiç gjyshi i tij gjysmëshekulli më herët. At Shtjefën Gjeçovi duhet t‘ua ketë thënë pafundësisht shpesh besimtarëve në Kishën e Zllakuqanit apo nxënësve të tij në shkollën shqipe fjalët e mësipërme.

Xhevat Ukshini

Essen, 09.07.2023

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.