Ndryshimet kushtetuese/Mickoski afër Orbanit e Gruevskit, larg SHBA-së e BE-së!

May 19, 2023

“Vëllazërimi politik” i VMRO DPMNE-së me Viktor Orbanin, Janez Janshen dhe populistët e tjerë të Evropës Lindore nuk është fenomen i ri, por një proces që ka vazhdimësinë e vetë qysh nga paraardhësi i tij Nikolla Gruevski, kështu e komenton takimin e fundit të liderit të opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski me kryeministrin hungarez Viktor Orban, analisti politik Besim Nebiu.

Edhe përkundër thirrjeve të njëpasnjëshme të komunitetit ndërkombëtar në vend, si dhe liderëve dhe zyrtarëve të rëndësishëm të SHBA-ve dhe BE-së, që opozitarja VMRO-DPMNE të reflektojë dhe të mbështes ndryshimet kushtetuese me qëllim që vendi të ecë pa pengesa në rrugën drejt anëtarësimit në BE, Mickoski si kundërpërgjigje ndaj këtyre thirrjeve takohet me Viktor Orbanin.

Besim Nebiu
Besim Nebiu

“Kush është dhe çka simbolizon Viktor Orbani? Është një kryeministër i Hungarisë në 13 vitet e kaluara, një politikan nacionalist, ksenofob dhe populist i cili sfidon ‘demokracinë liberale’ d.m.th formën perëndimore të demokracisë, dhe propagandon demokracinë e ashtuquajtur ‘jo-liberale’ që vetvetiu është mohim direkt i konceptit dhe parimeve të shoqërisë demokratike. Politika dhe retorika e tij nacionaliste dhe anti-demokratike është e kritikuar nga BE-ja e cila tanimë një vjet i ka bllokuar fondet e saja të dedikuara për Hungarinë. Lidhja e Mickoskit me një Orban të këtillë jodemokratik, është një indikator se si ai dhe partia e shohin modelin e qeverisjes autoritare, konservatore si një shembull të cilin do të donin ta aplikonin kur të vijnë në pushtet, ngjashëm me pararendësin e tij Gruevski. Natyrisht kjo është brengosëse për faktorin ndërkombëtar i cili është kritikues dhe kundërshtar i madh i Orbanit dhe politikave të tij”, deklaroi Nebiu për Indeks.mk

Në anën tjetër, ish-deputeti Zudi Xhelili thotë se duke e ndjekur rolin e faktorit ndërkombëtar për integrimin e Ballkanit Perëndimor në NATO dhe BE, jam thellë i bindur se gjërat duhet të ecin sipas parashikimeve.

Zudi Xhelili
Zudi Xhelili

“SHBA kanë shprehur interesim të posaçëm dhe kanë ndihmuar shumë në proceset e integrimeve euro-atlantike. Ata kanë informata burimore dhe e dinë saktë se stabiliteti dhe integrimi i vendit në BE është me rëndësi të veçantë. Prandaj shpesh herë na udhëzojnë që të ruhet paqja dhe stabiliteti si dhe të ndiqen reformat për të kaluar krizat shumë vjeçare ekonomike dhe politike”, deklaroi Xhelili për Indeks.mk

Ai thotë se opozita sugjerimet e tyre duhet ti marrë seriozisht dhe të reflektojë duke mbështetur ndryshimet kushtetuese, sepse çdo veprim ndryshe vetëm i komplikon gjërat.

“Sa i përket takimeve me politikan të kontestuar unë mendoj se në BE ka mekanizma të mjaftueshëm edhe për kontrollin e tyre, kësaj radhe ndoshta mu ai i kontestuari ua ka përcjell seriozitetin e situatës. Ata që angazhohen të pengojnë besoj vetëm u bien maskat për ti kuptuar ku e kanë qëllimin, se ndryshe nuk kanë fuqi të ndryshojnë kursin politike”, shprehet Xhelili.

Lideri i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski të enjten ka takuar kryeministrin e Hungarisë dhe kryetarin e partisë simotër FIDESH në Slloveni në margjinat e manifestimit qendror të CDI-së. Në takim, siç kanë bërë të ditur nga VMRO-DPMNE-ja, është biseduar për rajonin dhe çështjet lidhur me integrimin e Maqedonisë në BE.

Në anën tjetër, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, Angela Ageler, ai i Bashkimit Evropian (BE) – Dejvid Gir, si dhe së fundmi edhe zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Derek Scholle, këshilltari i Departamentit të Shtetit i kanë bë thirrje opozitares VMRO-DPMNE që të jap kontributin e saj në miratimin e ndryshimeve të nevojshme kushtetuese që vendi të ecë përpara drejt BE-së, duke theksuar se këtë duhet ta bëjë për qytetarët dhe shtetin, e jo për kryeministrin.(Indeks.mk)

Previous Story

Të gjithë po qeshin me shtegun e biçikletave në Serbi… (Foto)

Next Story

Shaqiri: Shëndeti mendor dhe mirëqenia e nxënësve në fokus të pedagogëve dhe psikologëve

Latest from Blog

Go toTop