Ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese sot morën mbështetje nga anëtarët e Komisionit kuvendor për çështje evropiane.
Për deputetët e opozitës, me vendosjen e këtij propozim-ligji në rend të ditës në këtë Komision, keqpërdoret flamuri evropian dhe se nuk ka kurfarë lidhshmërie me rregullativën e Bashkimit Evropian.
Me Propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për lojërat e fatit dhe për lojërat argëtuese i cili është propozuar nga Qeveria, propozohet kufizimi i hapësirave në të cilat organizohen lojërat elektrionike të fatit, përkatësisht të mund të organizohen vetëm në hapësira të lojërave të posaçme të fatit për të cilat kanë marrë pajtueshmëri nga Ministria e Financave.
Siç qëndron në Propozim-ligjin e publikuar në ueb-faqen e Kuvendit, me qëllim që të ulet hapja e pakufizuar e pikë-pagesave afër bastoreve përkatësisht e hapësirave afariste afër klubeve automatike, e me atë edhe të pamundësohet qasja e lhetë e popullatës drejt lojërave të fatit, propozohet vendosja e kufizimit të numrit të pikë-pagesave të bastoreve me licencën e dhënë, si dhe kufizim i numrit të hapësirave afariste të klubeve automatike që hapen me një licencë të dhënë dhe vendosje të kompensimit për çdo pikë-pagesë të re për bastore dhe për çdo hapësirë të re afariste për klub automatik.