Ndarja e ndihmave financiare nga Qyteti i Shkupit, për Vardarin, klubin e sapo rikthyer në Ligën e parë të Maqedonisë këtë sezon, ka shkaktuar reagime të shumta të sportdashësve dhe gazetarëve po edhe ka ngritur revoltin tek të gjithë qytetarët shqiptarë, që nuk pajtohen me këtë vendim.
Sipas tyre, paratë që qyteti tubon nga taksapaguesit shqiptarë nuk mund t’i dhurohen Vardarit, një klub, tifozët e të cilit njihet për ofendimin dhe rrahjen e shqiptarëve, njofton indeks.mk
Kundër këtij vendimi, ka reaguar edhe drejtori i përgjithshëm i FC. Shkupit, Emir Shabani.
Në një prononcim ekskluziv për indeks.mk, Shabani ka thënë se janë duke ndjekur me kujdes ngjarjet e fundit dhe se si klub janë kundër që institucionet të bëjnë ndasi. Shabani thotë se si klub janë pro gjithmonë që institucionet të ndihmojnë klubet dhe sportistët meqëllim zhvillimin më të madhë të sportit.
Sipas Shabanit, ndarja që ka krijuar në këtë rast, Qyteti i Shkupit, është veprim i gabuar.
“Ekipi i FC Shkupit me kujdes ka përcjellë ngjarjet e fundit në Këshillin e qytetit të Shkupit, duke mësuar se solli vendim që të ndaj 250 mijë euro ndihmë financiare skuadrës së KF Vardarit. Në parim ne si klub asnjëherë nuk kemi qenë kundër nëse do të ndihmohen klubet dhe sportistët, por gjithmonë kemi ngritur zërin, duke kërkuar mbështetje më të madhe nga shteti dhe të gjitha institucionet relevante që të japin sa më shumë përkrahje në të gjitha sportet. Dhe në këtë rast, nëse do të ndahej ndihma financiare nga Qytetit i Shkupit për të gjitha klubet futbollistike që perfaqesojne Qytetin e Shkupit dhe vendin, sigurisht se nuk do të ishim kundër ndihmës për Vardarin apo dhe ndonjë klub tjetër. Për vet faktin, se ne jemi anashkaluar dhe nuk na është mundësuar asnjë ndihmë, si klub jemi kundër kësaj dukurie dhe shpresojmë që ky gabim të përmirësohet sa është e mundur më parë. Jo rastësisht gjithkund në Botë thuhet se SPORTI është ambasadori më i mirë i një vendi, e këtë e kemi dëshmuar edhe ne si klub vite me radhë, duke e përfaqësuar denjësisht shtetin tonë dhe qytetarët tanë në secilën paraqitje ndërkombëtare”, deklaroi Shabani për indeks.mk