-Varrimi i shkrimtarit bëhet pasdite në varrezat e vendlindjes, Nikoc të Komunës së Drenasit
Ditën e sotme në Kosovë, në moshën 70-vjeçare, ka ndërruar Adem Gashi, njëri nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë të këtij krahu të letërsisë shqipe. Autor i shumë veprave në prozë, poezi e kritikë letrare, dhe një nga veprimtarët më të dalluar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, dhe ish i burgosur politik.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar e djali i tij, Dradani. Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka njoftuar se varrimi i shkrimtarit bëhet sot në varrezat e fshatit Nekoc të Komunës së Drenasit. Ndër të parët që ka shprehur ngushëllime, është edhe Ali Ahmeti, lider i Bashkimit Demokratik për integrim, i cili të ndjerin e ka pasur edhe bashkëveprimtar të kuzës kombëtare.
Vitin e kaluar, Gashit i ishte ndarë çmimi kombëtar letrar për vepër jetësorë “Azem Shkreli”, nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.
Studimet për Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, Gashi i ka ndjekur në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku ka ndjekur edhe studimet pasuniversitare, por është detyruar t’i ndërpresë për shkak të burgosjes, më 1982.Më 1973 ishte punësuar si arsimtar në shkollën e fshatit, në Nekoc. Më 1977 ishte punësuar në Radiotelevizionin e Prishtinës.
Më 1996, bashkë me Enver Malokun, punonin në redaksinë e revistës ORA, ku publikon një seri të eseistikës politike dhe të vështrimeve letrare. Po më 1996 emërohet drejtor i Televizionit në Tiranë, për Programin satelitor, deri më 1999. Më 1999 emërohet drejtor i Radiotelevizionit të Kosovës, duke e hapur atë për herë të parë në Kosovën e lirë. Më 1999 zgjidhet nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, deri më 2001, kur zgjidhet kryetar, tashti i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, deri më 2005. Më 2001 fiton bursën katër mujore të fondacionit gjerman “Heinrich Böll-Stiftung” me qëndrim në shtëpinë e nobelistit Bëll, në Langenbroich (Gjermani).
Më 2002 emërohet Këshilltar i lartë politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Më 2006 emërohet Drejtor i Zyrës për Komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Publikim të parë e ka poezinë “Pranvera”, botuar në “Pionieri” (1966)
Përveç si autor shumë veprave letrare, Adem Gashi njihet edhe si tekstshrues shumë këngëve antologjike që përshkruajnë lavdinë e historisë më të re shqiptare dhe të Kosovës në veçanti. Njëra ndër to është edhe “Sërish vjen marsi”, kënduar nga i papërsëritshmei Ilir Shaqiri, i cili sot është tronditur nga vdekja e poetit Adem Gashi, të cilin e ka quajtur “gjeneral poeti”.
“I trishtueshëm ky mëngjes janari. U nda nga jeta gjeneral poeti Adem Gashi, autori i shumë librave me poezi e prozë, drejtori i Programit Satelitor në RTSh gjatë kohës së luftës çlirimtare në Kosovë, fuqidhënësi më madhor i këngës atdhetare në kohën e sotme. “Serish vjen marsi” dhe qindra këngë për dëshmorët e atdheut mbajnë vulën e tij të përjetëshme. Lamtumirë, mik i shtrenjtë!”, ka shkruar Shaqiri në profilin e tij në “Facebook”. Këtë këngë e sjellim në vazhdim, bashkë me disa poezi të zgjedhura nga veprimtaria poetike e Adem Gashit.
….
SËRISH VJEN MARSI
Sërish vjen stina
Të rënët dhe t’gjallët bëhen tokë
Vesë as shi, s’duron lëndina
burrëria nuk duron lot.
Sërish vjen Marsi
Sërish vjen stina
T’rënët e t’gjallët bëhen tokë
Vesë as shi, s’duron lëndina
burrëria jo nuk duron lot
Midis kujtimesh e midis këngësh
shfaqet Krye – Trimi fjalë pak
Ndër këmba degësh
në sytha pemësh
Mërzisë sonë i vë kapak
Sërish vjen stina
E ne ndrrojm mot
Por vetëm ai s’plaket kurr
Uji i bjeshkëve
I rrejdh për bosht
Ai lartësohet si flamur
o si flamur
Dhe njerzia vijn përkulen n’varrin tënd nderim
Nipi e mbesa e merr uratën, nisen fluturim,
Zemra merr guxim, plisi bardh shkëlqim
Heeej! Me ty gjithmonë në ball,
me ty o legjendar (2x)
Sërish vjen Marsi
e vjen pranvera
amanetin e tij përtrin
Lulet e barin
i tund veq era si medaljona npelerin
Midis kujtimesh e midis këngësh
shfaqet Krye – Trimi fjalë pak
Ndër këmba degësh
në sytha pemësh
Mërzisë sonë i vë kapak
Sërish vjen stina
Ne ndrrojm mot
Por vetëm ai s’plaket kurr
Uji i bjeshkëve
I rrejdh për bosht
Ai lartësohet si flamur
O si flamur
Dhe njerzia vijn përkulen n’varrin tënd nderim
Nipi e mbesa e merr uratën, nisen fluturim,
Zemra merr guxim, plisi bardh shkëlqim
Heeej!me ty gjithmone ne ball, me ty o le
gjendar(2x)
Me ty gjithmonë në ball,
me ty o legjendar (2x)
….
NJI TJETËR ANDËRR
dimën asht e ftohti ka ra bashkë me natën
lodh gjymtyrësh e hutue mendjet
dhe gjumi ka ardhun
mos m’thoni se nuk keni pa andërr
tue pa andërr
ma s’paku nji herë palue vitet n’palë t’jorganit
e kur n’ferkun e mjesit gjumi ka firue
i keni thanë vedit:
ardh kenka koha m’u zgjue
bashk me borën dimni ka ra
e n’mashtrim na ka xanun të tanëve
pa e diktue se po hyjmë në nji tjetër andërr
…
IKËN E IKËN
kam hipur në një urë
s’di sesi e s’di se kur
sot a dje a dikur
në është mbi Danub a Rajnë a Dri
në është prej hekuri a guri a druri
nuk e di
hipur kam të shoh valët e lumit
sesi vijnë
sesi shkojnë tutje moskthimit
e pafundit
krejt ndryshe nga ç’i shihja në letërsi
në vargje poezie a në prozë
me trille ritme e bujë
thonë se përposh saj
kurrë nuk rrjedh i njëjti ujë
…
VONË
po troket po troket
natëvones moj e mira
s’kam zemër portën mos të ta hap
në fakt
portën po e hap mëshira
…
GJAH
mërzitur nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm
bezdisur nga marrëzitë
kësaj nate me borë mora çiften e qëllimit
e iu futa pyllit të fantazisë
m’i mori sytë magjia e Hënës prej reflektimit
e më dehën farfuri mirazhesh
kur pashë një drenushe si para tytës së Leninit
po ku vritet bre Ifigjenia në Aulidë
midis Ifigjenisë së virgjër e sutës së pafajësisë
po e qëlloj pa dhimbje bufin plak
mjaftohem të them se vrava orët e kotësisë
mjaftohem të them: ja preja, s’është pak
….
KUR TË DESHA… KUR TË DUA TY…
Bëj të të harroj e s’e bëj dot.
Ç’janë këto krahasime demode:
Natë me pjalm hëne,
Fjolla me trajta magjike bore?
Kur të desha… kur të dua ty…
së brendshmi ndjej e ndiej drithërimë
në çdo fije floku,
në çdo qelizë e në çdo pore.
…dhe harrova, dhe harroj ku qeshë e ku jam
në ujërat përreth Shkodre,
blusë së valëve të Sarandës
a kalldrëmit të vjetër të Gjakovës,
në qe dje, sot a ditëve të paardhura?
Bregoreve të mallit përplasen korrente
e fryn shumë erë.
Vdekja, po,
ajo edhe mund të harrohet.