Mospjesëmarrja në ndryshimet kushtetuese, ikje nga përgjegjësitë shtetërore!

– Në shikim të parë duket se është gjithçka në rregull dhe në kuadër të “ndarjes së roleve” pushtet-opozitë që të jesh kundër, por Kështu, i mbetesh borxh elektoratit tënd që nuk ke luftuar fare as për të penguar ndryshimet kushtetuese, e as që ato ndryshime me ua përshtatë interesave shtetërore, me të cilat e ke gojën plot! Edhe më diskutabile është abestenimi i Alternativës Demokratike, pasi lëshojnë shansin për t’i nxjerrë në plan të parë çështjet për të cilat lufton.

(Editorial i portalit desk.al)

Kollaj është të mëshifesh prapa pluralizmit dhe të drejtës opozitare të jesh kundër!
Në të vërtetë, ky “sindromi” opozitar për të qenë vazhdimisht “kundër”, është një nga keqkuptimet më të mëdha dhe manipulimet e përhershme që si një lloj vlere të kulturës demokratike i shitet publikut! Sidomos te ne, kur shpesh kjo kulturë demokratike vihet në sprova serioze duke cenuar interesat më madhore.

Sot, bie fjala, është afati i fundit për nominimin e anëtarëve të Grupit të Punës për Ndryshime Kushtetuese, dhe disa parti, të mëdha e të vogla, kanë zgjedhur mënyrën e abstenimit të punës së komisionit. Përveç partive që tashmë janë pozicionuar kundër çfarëdo ndryshimi, VMRO-DPMNE, E Majta dhe Lidhja Demokratike, këtij grupi u është bashkangjitur edhe Alternativa Demokratike e Afrim Gashit, e cila me të dalë nga Qeveria, këndon tjetër këngë, por me gjasë “fals”, përderisa nuk është as origjinale e as kreative, duke i ditur qëndrimet që ka pasur kjo parti gjersa ishte në pushtet. Sindroma e kundërshtimit opozitar apriori, e kaplon edhe atë përtej logjikës.

Në shikim të parë duket se është gjithçka në rregull dhe në kuadër të “ndarjes së roleve” pushtet-opozitë. Mirëpo, harrohen me këtë rast disa çështje tejet të rëndësishme.

E para, në sjelljen e Kushtetutës aktuale, dhe në disa ndryshime në fazat e mëvonshme, kanë qenë të kyçura të gjitha subjektet politike. Hartimi i një kushtetute dhe ndryshimet eventuale të saj, janë përgjegjësi e të gjithë faktorëve të një shoqërie, që nga ato të përfaqësimit(partitë), deri te ato intelektuale e mediale, gjithkush nga pozicioni i vet. Nga harmonizimi i qëndrimeve, në një procedurë normale të këmbimit të mendimeve, mund të dalin zgjidhjet më të pranueshme.

E dyta, pjesëmarrja në një proces si ky i ndryshimeve kushtetuese, nuk prejudikon pozicionimin përfundimtar. Në demokraci gjithkush lufton për qëndrimet e veta gjer në fund, dhe në rast mospajtimi me zgjidhjet e ofruara, mbetet e drejta a pakontestueshme, që s’i ikë askujt. Me atë votë “kundër”, mund të dalësh ballëhapur para publikut dhe të thuash, ja, ne dhamë kontributin tonë, por shumica mendojnë ndryshe dhe ata le ta marrin përgjegjësinë.
Kështu, i mbetesh borxh elektoratit tënd që nuk ke luftuar fare as për të penguar ndryshimet kushtetuese, e as që ato ndryshime me ua përshtatë interesave shtetërore, me të cilat e ke gojën plot!

Mospjesëmarrja në këtë poçes kaq të rëndësishëm për vendin, qoftë edhe për të qenë kundër, është shprehje e shpirtngushtësisë dhe kalkulantizmit politik, që në kurriz të interesave partiake të bësh marketing për zgjedhjet e ardhshme.

E treta, në këtë kontekst shihet roli i një partie politike shqiptare, është pyetja: cilat janë motivet e një Alternative Demokratike për të mos u kyçur në punën e Grupit Punuese(…)? A mos rrezikohen shqiptarët nga futja e bullgarëve në kushtetutë si një bashkësi përskaj shumë bashkësive tjera etnike të vogla, apo – le të karrikojmë pak – e kanë më shumë gajlen për interesat maqedonase më shumë se LSDM-ja? Përgjigja mund të supozohet me arsyet e të qenit kundër si opozitar. Por a qëndron kjo? Një parti shqiptare, si AD-ja, mund ta shfrytëzojë momentin për të shtruar edhe kërkesa në favor të shqiptarëve(si bie fjala çështja e gjuhës së “20-përqindëshit”) dhe me këtë të kushtëzojë shumicën, dhe nëse do, dhe të përfitojë politikisht. Pse jo. Edhe ndonjë çështje tjetër që ndoshta dhe mund të kalojë, ose të paktën, të bëjë zhurmë, mund ta shtrojnë. Në fund të fundit, prapë përgjegjësia le t’i mbetet shumicës, ama ti para elektoratit shqiptar del faqebardhë se ke luftuar për platformën tënde.

Kështu, rreshtimi me partitë maqedonase që kanë jokonsekuencat e tyre edhe politike edhe të natyrës brenda-etnike, që nuk janë kauzë shqiptare, s’është as për hir të parimit, as për hir të interesave shqiptare. Sepse, nuk mund të jetë interes shqiptar pengimi i punës së një grupi punues i cili para së gjithash, është në kuadër të integrimit të vendit në BE, që është edhe kauzë e të gjitha partive shqiptare.

Share

Go toTop