“Mjeku” Mickoski, e di çka është “e shëndetshme” për BDI-në!

November 28, 2023

Për Mickosin s’kanë fund epitetet me të cilat ia mvesh vetes. Me paralajmërimin për koalicionim me Levicën, e fitoi epitetin e Xhejms Bondit, sepse tha se “asnjëherë mos thuaj kurrë”, një huazim joorigjinal nga franshiza famshme e Albert Brokolit.

Nga deklaratat e tij, gjithnjë e më tepër e meriton edhe epitetin e “mjekut”, sepse ai e paska “detektuar” çka na është “e shëndetshme” për demokracinë, për më tepër, për BDI-në! Dhe ka krijuar edhe “terapinë” adekuate: çka do që të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme, ai do të zgjedhë opozitën shqiptare.

“Vlerësoj se do të ishte e shëndetshme, mirë dhe e dobishme që BDI-ja të kalojë një periudhë në opozitë, që t’i gjejë parimet e veta programore”!

Kështu ka thënë Mickoski për BDI-në, por në mungesë origjinaliteti, ka “huazuar” të njëjtat deklarata që i përdorte Zaevi dhe ndonjë eksponent i tij në zgjedhjet e kaluara. Ndoshta këtu është më pak origjinal se ai, pasi Zaevi këtë qëllim e kishte edhe duke e pasur BDI-në partner koalicioni! Të paktën këtu Mickoski ka më shumë të drejtë se ideatori i mëhershëm(Zaevi) për ta dërguar në opozitë BDI-në.

Lideri i VMRO-së është në relacione të kundërta: nuk ndajnë momentalisht pushtetin dhe nëse e shohim nga pikëpamjet programore, nuk duken se angazhohen për të njëjtat vlera. BDI-ja ka zgjedhur rrugën evropiane dhe ndërton korridore, VMRO-ja hap shtegun për koalicione me parti që çojnë Maqedoninë në relacione tjera(Levicën).

Origjinaliteti i Mickoskit konsiston edhe në raport me opozitën shqiptare. Por ai si duket ka një dozë rezerve, ose një dozë mosbesimi ndaj tyre, dhe midis rreshtash, sikur ai dëshiron t’u japë një shanse, si provë, si test!

“Po përsëris…se duhet t’i jepet shansi opozitës shqiptare në Maqedoni, ta quaj kështu kushtimisht, që të udhëheqë resorë, të marrin përgjegjësi dhe TË SHOHIM ME ÇFARË KAPACITETI DISPONON…”
Domethënë, Mickoski e sheh veten si një sovran i cili ka mirësinë dhe zemërgjerësinë ndaj opozitës shqiptare, por që ndryshe nga ç’mendojnë opozitarët për vetveten, ai nuk e dijka çfarë kapaciteti kanë ata, ndaj preferon t’u japë shanse për të parë kapacitetin e tyre!

E po, ja, ky është “ndërhyrësi” nga jashtë në bllokun politik shqiptar me “preferencat” specifike të tij./indeks.mk

Previous Story

111 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë, Ahmeti: Historia e qëndresës shqiptare u shkrua me gjakun e dëshmorëve!

Next Story

Nipi i Shkurte Fejzës me veshje kombëtare shoqërohet me këngët e gjyshes

Latest from Blog

Go toTop