Mickovski tash provon të luajë edhe në “kartën” e “shtetit binacional”!

-Në vend se t’i frikësojë qytetarët me gjëra iracionale, po të ishte korrekt dhe konsekuent, do të duhej të kërkonte diçka që e ka thënë vetë: heqjen e “20-përqindëshit” për gjuhën shqipe

(Koment i portalit indeks.mk)

Kur vjen një lider i ri në krye të një partie që ka imazh të caktuar, o duhet të hyjë në kallëpet e pararendësve, ose të bëjë përpjekje të sjellë një frymë të re. Kjo e dyta pritej prej Hristijan Mickoskit, një frymë e re, që do ta largonte partinë nga politikat e gabuara dhe një vizion tjetër, ndonëse që nga fillimi kishte hendikepin e madh të imazhit, pasi ishte i zgjedhur nga Gruevski si trashëgimtar i tij. Me fjalë të tjera, gjithkush e kuptonte se e kishte zgjedhur që t’ia ruajë partinë gjersa të kthehej nga “mërgimi”!
Kur e analizojmë trajektoren e karrierës së tij këto vite, ajo s’ka qenë asgjë tjetër pos një tundim ose përpëlitje teatrale, sepse ai në të vërtetë, nuk e solli frymën e re që pritej prej tij. Ose, nëse analizojmë se çka bën ai muajve të fundit, duket sikur fryma e re iu shkri si ballon dhe sikur ndihet më i sigurt te ato veprime “të sprovuara” që VMRO-në e bëjnë VMRO…Për këtë më tutje.
Për hir të së vërtetës, do të themi se pati shenja shpresëdhënëse te Mickovski: përnjëherë ishte i pranishëm në mediat në gjuhën shqipe, ku fliste për bashkëpunim me partitë shqiptare, ku madje u tregua aq zemërgjerë sa të shprehë nevojën për heqjen e 20 përqindëshit si kategori kushtetuese për gjuhën shqipe. Kaloi ai edhe përtej klishesë tridekadëshe për të bërë dhe koalicionime parazgjedhore me parti shqiptare, që ishte e paimagjinueshme për partinë si VMRO-ja…Histerinë që përhapte ndaj BDI-së, që përfaqëson shumicën e shqiptarëve, nuk po ia marrim si mëkat, por si një shprehje e pluralizmit politik. Mirëpo, pikërisht kjo histeri, e çoi Mickovskin në udhë qorre dhe duke dashur ta defaktorizojë BDI-në, u pozicionua kundër gjithçkaje që BDI-ja bënte për të mirën e përgjithshme: edhe për rrugën evropiane, edhe për ndryshimet kushtetuese që ia hapin dyert vendit për BE, edhe për projekte madhore që s’janë politike, si korridoret 8 dhe 10D, ndaj të cilave çka nuk shpifë dhe vetëm pse në krye të tyre është një kuadër i saj.
Më e reja nga “repertori” i pasur i oratorisë së Mickovskit për publikun, është se në ndryshimet kushtetuese që bëhen për shkak të futjes së bullgarëve, “fshihet” diçka “më e rrezikshme”, deri në tradhti! Sipas tij, mbi tavolinë na qenka dhe redefinimi i shtetit si binacional.
Ai nuk është shumë “i sigurt” për këtë, por e thotë para rinisë së VMRO-së, ashtu si pa teklif, sikur ka dëgjuar, sikur s’do të besojë, ama të rinjve ua thotë, mbase për ta përshkruar “rrezikun më të madh”, “tradhtinë e madhe” që po i përgatiteshka vendit: “Kuloarëve dhe në pjesë të mediumeve, edhe unë po i dëgjoj idetë që i përfolin ata ekspertë partiake që ua hartojnë ndryshimet kushtetuese, dhe po flitet se po propozohet të ndryshojë Preambula ku do të ekzistonin dy popuj, disa bashkësi e pastaj dhe pakica…duke lëkundur kështu tërësisht themelet e Maqedonisë, duke përpunuar konceptin e shtetit federal binacional…” Dhe pastaj, sikur të ishte nga një planet tjetër që s’di çka ndodh këtu, vetëm shpreh shpresën e tij që kjo “të mbetet një mantrë e parealizuar, sepse në të kundërtën, nëse futet në tekst, do t’i shkaktohet dëm i pakthyeshëm Maedonisë” me apelin e tij, që të ndërpritet ky “rulet vetëvrasës i partive në pushtet…”. Vërtet origjinal!
Një pseudodramë për naivët dhe anëtarësinë, për fat të keq, duke dashur të krijojë, le të shprehemi me fjalorin e tij, një “mantrë” të re, një gogol të ri, që mund të prekë ndjenjat dhe vetëdijen e të rinjve me “thellësinë” e mesazhit për PR. Kjo s’do të ishte diçka e re nga VMRO-ja, sepse është “kod komunikimi manipulimi me brezat e rinj, duke u mbjellë ndjenja nacionaliste, duke luajtur me kategoritë e patriotizmit në njërën anë, dhe tradhtisë në anën tjetër. Gjithçka bënë për kauzë politike për përdorim ditor. Për fat të keq, kjo shpesh i ka shkuar ndoresh kësaj partie.
Ka diçka për t’u sqaruar lidhur me pohimet manipulative të Mickovskit. Maqedonisë nuk i rrezikohet karakteri unitar i shtetit, pra, nuk ka opcion për federalizim, as para, as prapa perdes, as mbi e as nën tavolinë. Partitë shqiptare, që nga Marrëveshja e Ohrit e këtej, i kanë “rehatuar” bashkëqytetarët e tyre se ata janë për një Maqedoni të qytetarëve të barabartë. Prej nga e shpiku ai se në tavolinë na qenka riderfinimi i shtetit, kur për një gjë të tillë duhet të ketë konsensus të gjerë shoqëror e politik. Modelet si modele, ato ekzistojnë dhe funksionojnë, por çdo vend ka realitetin e vet dhe rregullon rendin e vet kushtetues…Por larg aspekteve kushtetuese juridike, as Mickovski e askush tjetër, nuk mund t’i mbyllë sytë që Maqedonia është shtet ku jetojnë dy popuj me prani më të madhe, maqedonasit me rreth 60 për qind dhe shqiptarët me rreth 30 përqind(sipas statistikës së fundit). Ky realitet është ajo që ndoshta i pengon Mickovskit dhe prandaj krijon frikë artificiale, e jo se ka vërtet “diçka të fshehtë”.
Por nëse do të ishte Mickovski korrekt ndaj vetëvetes dhe ndaj shqiptarëve, ndaj të cilëve “nuk ka gjë kundër”, atëherë në këtë fazë vetë duhet të dalë e të thotë: mirë se kanë ardhur këto ndryshime, ta bëjmë edhe atë që e kam deklaruar, ta heqim 20-përqindëshin për gjuhën shqipe. Asnjë dramë a tragjedi nuk do të ndodhë, vetëmse një zgjidhje jo e qëlluar Marrëveshjes së Ohrit, si një peng i situatës kur u soll, do të korrigjohet. As paragjykim, as rrezik, thjeshtë, një zgjidhje që ka ekzistuar që në kushtetutën e Republikës Socialiste të Maqedonisë.
Ka shumë gjëra që disa qarqeve, por dhe Mickovskit nuk u shkojnë përshtati. Ndoshta edhe pse nuk janë në situatë për t’i realizuar vetë.
Për fat të keq të nacionalistëve, Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, duhet të fillojë negociatat me BE-në, dhe është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim kombi e feje, kjo është tanimë e firmosur, Marrëveshja Kornizë e Ohrit e ka kthyer Maqedoninë në një shtet të barabartë për të gjithë, nuk ka vend për ndarje dhe urrejtje ndëretnike në emër të nacionalizmit të rrejshëm. Askush përveç se në kokën e Mickoskin dhe forcave destruktiv anti-amerikane, anti BE, dhe pro ruse nuk e ka agjendën me të cilën Mickoski i frikëson të rinjtë dhe anëtarësinë e VMRO-së dhe publikun e gjerë.

Share

Go toTop