Mickoski pa sens për realitetin, parapëlqen “koordinim monoetnik”!

Shkup, 6 qershor – Një takim që mund të jetë historik për procesin integrues të Maqedonisë së Veriut, ose një takim rutinë me një rezultat të paracaktuar – “jo” e opozitës për ndryshimet kushtetuese, të cilat nga ana e tyre janë kusht për mbajtjen e Konferencës së dytë ndërqeveritare dhe për hapjen e kapitujve në negociatat me BE-në?, shkruan Indeks.mk

Qëndrimet e qeverisë dhe opozitës janë të ndryshme në prag të takimit tet-a-tete mes kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçeski dhe liderit të opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, të planifikuar për të mërkurën (nesër) në orën 11:00. Deri më tani, partia opozitare ka përsëritur se “nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar dhe në këto rrethana”.

Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Driton Zenku, thotë se takimi do të jetë një rutinë që ndodh mes liderëve politikë. Sipas tij, ishte kërkesë e liderit të opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovskit që takimi të ndodhë në këtë format.

“Mickovski jo rastësisht e kerkoi këtë format, për të krijuar një alibi në qoftë se do të dështonte takimi. Reagimet e VMRO-DPMNE-së shkonin në këtë drejtim, madje kërkonin nga Ali Ahmeti “t’i japë leje” Dimitar Kovaçevskit që të shkojë në takim. Edhe këtë alibi shumica ia mori nga dora Mickovskit. Shumica ka qëndrim të unifikuar dhe ka pak rëndësi që një apo më tepër liderë do t’i përfaqëson në takim. Takimi ka temë të caktuar për të cilën do të flitet. Kovaçevski përfaqëson qëndrimet e shumicës. Rëndësi ka epilogu i takimit, që për fat të keq nuk mund të japë ndonjë prognozë pozitive. Mickovski shkon në takim me mision dhe qëllim të caktuar dhe nuk mund të pritet ndonjë kompromis. Pjesa e rëndësishme e Mickovskit do të jetë konferenca me gazetarët para apo pas takimit, ku do të tentojë të poentojë me kërkesat që do të paraqesë”, tha Zenku për Indeks.mk.

Në anën tjetër, analisti politik Urim Saliu thotë se është vetëm një takim i hapur për publikun sa i përket informacionit se takohen krerët e dy partive kryesore maqedonase, por në esencë ky është më shumë një takim sekret midis tyre.

“Kjo tregon edhe njëherë kushtëzimin e kreut të opozitës Mickovskit dhe partisë së tij se ai është alergjik ndaj takimeve me partitë shqiptare dhe më shumë i duan takimet monoetnike dhe sidomos në një kohë shumë delikate kur janë në pyetje ndryshimet kushtetuese. Ky anashkalim i partive shqiptare e godet rëndë politikën shqiptare edhe ashtu të përçarë skajshmërisht dhe nxjerr në pah se partitë maqedonase nuk mund të çlirohen nga monoetniciteti në një shtet multietnik ku shqiptarët kanë ose më mirë duhet të kenë peshën e tyre të vendimmarrjes. Takimi Mickovski-Kovaçevski u jep leksion partive shqiptare se ata kanë vijat e kuqe dhe kanë në fund një interes të përbashkët dhe u tregon partive shqiptare se jemi ne dhe jo ju. Partitë shqiptare kacafyten me njëri tjetrin dhe kanë harruar interesin e madh shqiptar dhe unitetin që tek ata nuk ekziston”, deklaroi Saliu për Indeks.mk

Edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)- Ali Ahmeti në shënimin e 21 vjetorit të themelimit të partisë, i ka bërë thirrje opozitës maqedonase që të bëhet pjesë e vendimeve të mëdha për vendin, duke përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese si një kusht që Maqedonia e Veriut të ecë pa pengesa në rrugën e saj drejt BE-së.

Mickoski tashmë ka paralajmëruar se mbajtja e një takimi lidershipi do të kishte kuptim nëse nga kjo do të dilte një përfundim konkret.

“Nëse kemi një taklim liderësh pa përmbajtje dhe përfundim, më mirë të mos e kemi!”, ka shkruar ai në Facebook.

Qasja ndaj temave të bisedës është e ndryshme: Kovaçevski kërkon mbështetje për amendamentet kushtetuese, Mickoski pyet se çfarë më pas – pasi të dështojnë.
Sipas Kovaçevskit, në takim duhet të diskutohen dy tema: e para – për vendimet që duhet të merren për vazhdimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, dhe e dyta – për qasjen për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha shtetet fqinje.

Mickoski thotë se e vetmja gjë që kërkon VMRO-DPMNE është respektimi i mendimit dhe qëndrimit të më shumë se 80 për qind të popullatës që thonë “jo” ndryshimeve kushtetuese.(Indeks.mk)

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.