Presidenti i Këshillit të Evropës, Charles Michel ishte poashtu i pranishëm sot në takimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe atë të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq me liderët evropianë.
Në një postim në platformën “X”, Michel ka thënë se de-përshkallëzimi dhe kthimi në normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit është thelbësor.Tutje ai ka shkruar se pret që Bashkimi Evropian të diskutojë tutje lidhur me këtë, ndërsa ka publikuar edhe disa fotografi nga këto dy takime ndaras.
“Me Josep Borell dhe kolegët e BE-së, u takuam me kryeministrin Albin Kurti dhe më pas me presidentin Aleksander Vucic. De-përshkallëzimi dhe kthimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është thelbësor. Pres që Këshilli i BE-së të diskutojë më tej”, ka shkruar Michel në “X”.
Për takimin foli edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell i cili tha se puna po vazhdon dhe se nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut.
Para gazetarëve, Borrell tha se mund të ketë edhe një takim tjetër të dytë me Kurtin dhe Vuçiqin.
“Erdha vonë sepse erdha prej një takimi tjetër me Kosovën dhe Serbinë…Kur jemi te Kosova dhe Serbia – puna po vazhdon dhe ndoshta duhet ta lëmë mbledhjen e BE-së dhe të provojmë të ulemi sërish me të dy liderët për të provuar nëse ne mund të gjejmë një zgjidhje brenda dialogut. S’ka zgjidhje tjetër – ajo shkon përmes dialogut”, tha Borrell para gazetarëve.