Kidnapimi i tre policëve të Kosovës, nga forcat serbe, brenda territorit të Kosovës, bëri që Qeveria e Kosovës ta ndaloj hyrjen e kamionëve me mallra dhe targa serbe në territorin e saj. Me t’u marrë ky vendim, nga data 15 qershor, dhjetëra kamionë ishin bllokuar në anën serbe të kufijve, përkatësisht në vendkalimet Merdare dhe Jarinjë.
Pas kësaj mase drastike të ndalimit të hyrjes së kamionëve me mallra dhe targa serbe në Kosovë, Qeveria ka marrë një vendim të ri që lejon pjesërisht lëvizjen e mallrave nga Serbia në territorin e Kosovës.
Sipas burimeve të afërta të portalit Dukagjini me institucionet vendimmarrëse të Kosovës, nga data 21 qershor është lejuar hyrja e kamionëve me targa serbe, por me një kusht – mallrat e tyre të mos kenë origjinë nga Serbia.
Ky vendim i ekzekutivit, është mirëpritur nga drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i cili ka vlerësuar se kjo masë pengonte importin e mallrave nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe eksportet kosovare që përdornin shërbimet e transportit të kompanive nga Novi Pazar.
Ai gjithashtu ka përmendur se ky ndalim tashmë është shfuqizuar, duke besuar se Qeveria ka pasur parasysh pengesat dhe vështirësitë që mund të shkaktoheshin nga kjo situatë.
Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane (OEAK), Arian Zeka
“Është për t’u mirëpritur vendimi që rishikon ndalimin e lëvizjes së automjeteve me targa të Serbisë, meqë kjo pengonte edhe importin e mallrave me origjinë nga shtetet e tjera të Bashkimit Evropian, por edhe eksportet kosovare që shfrytëzonin shërbimet e transportit të kompanive nga Novi Pazari. Kjo ndalesë megjithatë është shfuqizuar dhe besoj që Qeveria ka pasur parasysh edhe pengesat e sipërcekura”, ka deklaruar ai për portalin Dukagjini.
“Rreth 70 milionë euro të bllokuara në kufirin Kosovë-Serbi”
Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB), ka bërë të ditur se shkëmbimet nga të dyja anët janë të bllokuara në një shumë prej rreth 70 milionë euro, duke përfshirë paratë e parapaguara për produkte të bizneseve të Kosovës në Serbi dhe borxhet e bizneseve të Kosovës ndaj Serbisë.
Në bazë të kësaj llogaritje, kryetari i kësaj Aleance, Agim Shahini, ka thënë se vlera e mallrave që bizneset e Kosovës kanë të kontraktuara dhe janë të parapaguara me kompanitë serbe arrin vlerën rreth 30 milionë euro. Këto para janë investuar në lëndë të parë dhe produkte të gatshme që janë në pritje të hyrjes në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, sipas tij, bizneset e Kosovës kanë borxhe mbi 40 milionë euro në Serbi, të cilat transaksionet bankare ende nuk janë të ndaluara.
“Sipas një hulumtim që Aleanca ka bërë në shtatë ditët e para kanë qenë rreth 30 milionë euro të parapaguara në Serbi, pra të produkteve të ndryshme të bizneseve të Kosovës, qoftë lëndë e parë, apo të gatshme. Por njëkohësisht gjëja që është vërtetuar këto ditëve të fundit po ashtu edhe kosovarët kanë borxhe në Serbi, për të cilat transaksionet bankare nuk janë të ndaluara. Pra kanë borxhe mbi 40 milionë euro, dhe kjo është një vlerë tejet e lartë”, ka thënë kryetari i AKB-së, për portalin Dukagjini.
Kryetari i AKB-së ka theksuar rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje politike për të tejkaluar këtë problem.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini
Ai ka bërë thirrje për veprime të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës për të lejuar hyrjen e mallrave të ngarkuara në Serbi ose kthimin e tyre prapa, për të shmangur dëmet që mund të shkaktohen nga temperaturat e larta në kufi.
Ndryshe nga kryetari i AKB-së, drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Zeka, ka theksuar se veprimet politike nuk duhet të kenë ndikim negativ në aktivitetin ekonomik, dhe sipas tij, barrierat e krijuara që kufizojnë aktivitetin ekonomik bien ndesh me frymën e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar të promovuar nga partnerët ndërkombëtarë dhe vendet e rajonit.
Sipas Zekës, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë në eliminimin e dallimeve që pengojnë bashkëpunimin dhe të promovojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.
Ai ka vlerësuar se ky është një kusht paraprak për procesin e integrimit në BE.
Gjithashtu, Shahini ka shprehur besimin se dialogu në Bruksel midis Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë, do të çojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe në normalizimin e shkëmbimeve tregtare në mes të dy vendeve.
Portali Dukagjini ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme në lidhje me afatin e vendimit për ndalimin e hyrjes së mallrave me origjinë serbe në Kosovë. Megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje zyrtare në lidhje me këtë çështje.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës e kishte vlerësuar vendimin e ndaljes së kamionëve si një masë të nevojshme për garantimin e sigurisë së territorit të vendit.
Ky vendim i Qeverisë ishte marrë një ditë pas kidnapimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe. Policisë e Kosovës e kishte dëshmuar se policët janë rrëmbyer në territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi ka insistuar se ata janë “arrestuar” në territorin serb, ku tashmë e 12 ditë po mbahen nën paraburgim.
Kurti dhe Vuçiq zhvilluan takime të ndara me shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, më 22 qershor.
Bashkimi Evropian ka paraqitur tri kërkesa kryesore që Qeveria e Kosovës duhet t’i pranojë “sa më parë që të jetë e mundur”.
Një prej kërkesave është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në veri të Kosovës, për të cilën Kurti u pajtua, por vuri kushtin që zgjedhjet të jenë “ligjore”.
Kujtojmë se tensionet në veri të Kosovës filluan të rriten që nga data 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën mbështetjen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, duke u përballur me kundërshtime të serbëve lokalë. Kjo situatë ka shkaktuar një ndarje të thellë mes komuniteteve dhe tensione të mëdha.
Kulmin e tensioneve e pati ngjarja më 29 maj në Zveçan, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Përleshjet e dhunshme rezultuan në lëndime të rënda për dhjetëra persona nga të dyja palët, rritur edhe më tej tensionet dhe ndarjen mes komuniteteve në veri të Kosovës.