Ligji për parandalimin e tregtisë jo-korrekte të përfshijë edhe farmacitë

October 13, 2023

Çmimet e shtrenjta po vazhdojnë të varfërojnë qytetarët. Jo vetëm për produktet ushqimore por një pjesë e konsiderueshme të buxhetit familjar shpenzohet edhe për barnat. Nga shoqatat për mbrojte të konsumatorit thonë se afër ¼ e të ardhurave të një familjeje mesatare harxhohen për ilaçe farmaceutike dhe shërbime mjekësore. Kërkesat e tyre janë që barnat të përfshihen në projektligjin për parandalimin e tregtisë së padrejtë, i cili aktualisht është në diskutim publik. Kryeministri Kovaçevski dha sinjale pozitive që ky ligj mund të zgjeroj përfshirjen që aktualisht është i destinuar vetëm për produktet ushqimore.

“Për barnat kemi ‘MALMED’-in dhe institucionet tjera, punën e të cilave do ta krahasojmë me praktikat më të mira në BE dhe gjithashtu këtu do të mund të bëhen intervenime. Unë besoj se duhet të bëhen intervenime, e dini si? Siç përafrohemi drejt BE-së do ketë më shumë ligje të zbatueshme në vend që deri më tani as që është paramenduar të ketë ligje të tilla për implementim në shtetin tonë”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër i RMV-së.

Ndërkohë sot një sërë preparatesh janë shtrenjtuar nëpër barnatoret e vendit. Përveç listës pozitive, asgjë nuk e pengon monopolin farmaceutik të kalkulojë me çmimet në dëm të xhepave të pacientëve. Deri sa autoritetet po bëjnë analiza, nga ana tjetër kompanitë kanë afat 6 muaj të rimodelojnë sistemin e funksionit nga zinxhiri i prodhuesit, furnitorët e deri te shitja finale me qëllim që të evitojnë 26 praktika jo korrekte të tregtisë, të cilat në fund i faturohen qytetarëve me çmime të majme të ushqimoreve. Deri sa të miratohet ligji, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike tha se do të veprohet me masa autonome, siç po zbatohen ngrirja e çmimeve. Fatmir Bytyqi tha masat po japin efekt edhe në inflacion.

“Unë e di vetëm një çështje, kemi thënë që inflacioni në 2023 do të jetë 8% në mesatare, kurse përpiqemi që deri në fund të vitit inflacioni të bjerë në 5% në dhjetor. Shikoni projektimet e FMN-së, nëse i marrim për krahasim gjitha vendet e rajonit dhe ato të BE-së, rritja jonë këtë vit dhe vitin e ardhshëm është mbi atë që disa vende e kanë parashikuar për ne, por janë të përafërta me pritshmëritë tona”, u shpreh Fatmir Bytyqi, Zëvendëskryeministër për çështje ekonomike.

Ligji për parandalimin e tregtisë jo korrekte është në procedurë hartimi me flamur evropian, përmes së cilit parashikohet që fitimi mos të kaloj 10% në shitjen finale nga ajo që aktualisht është rreth 30-40% për produkte të caktuara bujqësore dhe ushqimore. Autoritetet zotohen se kjo do të sjell një ulje të re të çmimeve të produkteve ushqimore me së paku 20% më lirë se sa çmimet aktuale. Gjobat arrijnë deri 20 mijë euro, për tregtarët që do vazhdojnë të bëjnë tregti të padrejtë pasi të hyjë në fuqi ligji.

Previous Story

Zgjerohet KFOR-i në Kosovë, i shtohen edhe 130 ushtarë rumunë

Next Story

Taksa e pronës për Tiranën/ Ekspertët: Nuk rrit të ardhurat e bashkisë, ndryshon pas dy vitesh

Latest from Blog

Go toTop