Kush i la 33 punonjës në rrugë me skenaret e turpit në Ansamblin shqiptar?

Shkruan: Shkodran Tolaj

“Po jetojmë në një kohë kur puthadorët bëhen të gjithë bashkë kundër teje, sepse duan të rrënojnë gjithçka që ata vetë nuk mund ta arrijnë kurrë! Dështimi dhe dorëzimi yt është suksesi i tyre! Të jesh vetvetja është kosto e lartë sepse pikërisht kjo “armë” e tremb “turmën” e shumë “puthadorëve”! Jam i sigurt që historia mban mend vetëm ata që bëhen pjesë e saj duke patur guxim të ndahen nga turma për ti rezistuar kohës! Qëndro i fortë miku im”

Rastësisht në shfletimet e bibliotekës në shtëpitë tona të trashëguara, gjeta këtë pjesë tek ditari i mikut tim dhe udhërrëfyesit të jetës, ikonës së gazetarisë Qani Mehmedi, në shënimet e tij pas bisedave të gjata me Ukshin Hotin dhe mban datën 10 shtator 1989, fiks 35 vjet më parë ka shkruar diçka që sot më tingëllon si porosi e tij e vazhdueshme që dëshmon se historia ndër shqiptarë vazhdimisht përsëritet!

Teksa shfletoja ditarin e tij, ktheva në mendje të gjitha projektet e arkivuara të ansamblit: nisur nga koncertet tematike e të jashtëzakonshme: për Lorenc Antonin, Musa Piperkun, Vëllezërit Stafaj, Gani Grubin, Audio- Cd në kualitetin më të lartë të realizimit teknik, Videoprojekte profesionale, 10 koreografi origjinale të zonave më të paprekura, koncerte tradicionale të 17 shkurtit, 22 nëntorit, 28 nëntorit, turne ballkanike, pjesëmarrje në nivelin më të lartë në evenimente shtetërore, tre çmime të para nga arena ndërkombëtare dhe atë nga festivali më i madh i folklorit! Në fakt kujtova dedikimin me tërë qenie time në ngritjen e këtij institucioni nga nëntori 2019 deri në korrik 2024 kur duket se çdo gjë ka stagnuar dhe është bllokuar qëllimisht! Pra plot 4 vite e gjysëm mision mbushur me përkushtim, punë, sukses, shkëlqim duke rrugëtuar bashkë me qindra bashkëpunëtorë dhe me artistët e ansamblit ( një pjesë e të cilëve pa kuptuar u keqpërdorën nga pushteti) Njëkohësisht kujtova dhe njëherë skenaret e turpit për ndryshim në ansambël që ngjajnë herë në tragji- komedi, herë në një “film” me skenar shumë keq të menduar e herë në cirkuziadë të shëmtuar që të bën të qeshësh me “lojëra” lehtë të lexueshme dhe të vajtosh për fatin se ku është katandisur kultura shqiptare në RMV dhe nga kush po sulmohet ansambli: nga ata që shtatin e kanë në Tetovë po mendjen në Anadoll, nga “kryehajdutët” që tërë jetën u shtirën herë si koreografë e si arkitektë por familjarisht i shërbyen sigurimeve sekrete që morën në qafë shumë njerëz dhe nga një propagandë e paskrupullt e rrjeteve sociale dhe disa mediumeve!
I tërë ky sulm ndaj një tempulli që u ngrit dhe hapëroi fuqishëm dhe dëmi i madh që u shkaktua është pothuajse i parikuperueshëm!
Në këtë sulm nuk është e vështirë të kuptohet se s’ka asgjë esenciale, thjeshtë presion i vazhdueshëm dhe pa dinjitet për dorëheqje në mënyrë që ansambli tu dorëzohet apetitgjinjëve që vdesin tërë jetën për një kolltuk, që mbështeten nga “shoqet e shokët e lagjes” e që në biografinë e tyre kanë lloj lloj afera deri tek arrestimet për lëndë narkotike!

Skenaret për “ndryshim” në ansambël ishin një “kalvar” me shumë të papritura dhe të panjohura për të tjerët, por jo për mua! Isha koshient dhe i përgatitur për këtë betejë që e kam paralajmëruar që në datë 20 qershor kur skenaret e turpit nisën të gatuhen “bodrumeve” të Çarshisë pak para krijimit të Qeverisë, e kur kam bërë thirrje publike që fillimisht të merren me mua!
Sidoqoftë në pamundësi të “më heqin qafe” brenda nate, loja ka vazhduar më tepër se dy muaj! Përkundër kërkesës sime për takim me ministrin që me datë 1 korrik, jo vetëm për të zgjidhur problemin e punësimeve por dhe të angazhuarve me kontratë në vepër të cilët muaj të tërë s’kanë marrë kompenzimin që u takon dhe presin “rinovimin” e kontratave kurr nuk pati asnjë përgjigje. Përveç komunikimit me ministrin me 6 gusht kur më ka kërkuar personalisht të ridorëzoj planin për punësime, nuk pati asnjë informacion zyrtar për ripëlqim nga financat (thuhet se ai ripëlqimi ekziston dhe mbahet sirtareve të Ministrisë së kulturës më tepër se dy javë)

Megjithatë po shpjegoj në detaje skenaret e turpit për të qenë ballëlartë dhe transparent si derimë sot:
Me 25 korrik: u kushtëzova drejt për drejt nga zëvendësministri: jep dorëheqje- do të sigurojmë vend pune, në të kundërtën do kesh shumë probleme (që nuk e pranova)
Me 2 gusht kemi ndjekur reagimin e organizuar në rrjete sociale nga ata që duan “ta kapin ansamblin”me preteks, pjesëmarrjen e 6 anëtarëve të ansamblit para Kuvendit ( ngjarje për të cilën Qeveria kërkoi pjesëmarrje dhe numër fiks të përcaktuar të artistëve interpretë dhe statistë)
Me 4 gusht: u plasua një “audio/ video e montuar copë copë me qëllim krijimin e përshtypjes se drejtori është “i luajtur mendsh” e që ka “dhunuar” një “ekipë”! Ky moment i 22 marsit 2022 (që u bë me paramendim në atë kohë si uverturë për një sulm familjar) kur abuzohej puna nga “një grup” me shkas mungesën e kushteve, u plasua në formën më të ulët e shëmtuar, duke harruar skenaristët se “kryeprotagonisti- kandidat për drejtor” do të demaskohet keq pas rikthimit në kujtesë të momenteve festive ( publike) uratave e konsideratave të shprehura në intervista të shumta ku thuhej hapur se ishte me fat që drejtoj ansamblin!
Me 5 gusht: “Kryeprotagonisti” del në pres konferencë i dirigjuar nga partia e tij që kolegët ti mbajë në vijë, ta shajnë sa më shumë drejtorin dhe ta akuzojnë se ka lënë në rrugë 33 punëtorë, kinse ua ka ndërprerë kontratat ndërkohë të gjithë e dimë se ndryshimet ligjore nuk i bën drejtori por Kuvendi dhe e vërteta është që me dy vendime Qeverie, 28 qershor e 5 korrik u anuluan të gjitha pëlqimet e konkurset pa asnjë shpjegim e arsye ndërkaq ligjërisht nuk ekziston asnjë mundësi të bëhen aneks- kontrata me rastin e skadimit të kontratave me afat të caktuar!
Me 2 shtator ka filluar skenari i fundit, realizimi i inspektimit shantazhues me të cilin zëvendësministri kushtëzoi direkt në media një muaj rresht me të vetmin qëllim: dorëheqjen time!
Tani pyes pubikisht: kush bëri politikë me vende pune dhe kush luajti me ansamblin? Kush i la në rrugë 33 punonjës?

Unë si Shkodran lehtësisht do jepja dorëheqje në çdo moment, por jo kur dhe si don zëvendësministri me shokë, jo me kërcënim dhe shantazh, jo me arsyetimin: jep dorëheqje se njeriu jonë i bën punësimet me “lista”, jo në një moment kur kjo Qeveri i la 33 punëtorë në rrugë duke u përpjekur që këtë faj të ma mveshin e të më detyrojnë të ikë si i turpëruar duke keqpërdorur lojalitetin e punonjësve “hallegjinjë”
Joooo, sepse pas meje janë personalitetet më të fuqishme të artit e kulturës nga të gjitha trevat shqiptare që më kanë mbështetur për 4 vite e gjysëm që ta ngris këtë institucion në piedestal dhe nuk e kanë akceptuar në asnjë moment “ndryshimin- politik” në ansambël për çfarë kanë ngritur fuqishëm zërin e tyre publikisht ( të cilët i falenderoj që ishin dhe janë me mua në këtë betejë)

Edhe njëherë e pyes zëvendësministrin dhe ata që ia mbajnë “ ison”
Nëse ka patur keqpërdorime më herët në ansambël dhe kam lënë 33 punonjës në rrugë, ( siç u propagandua e tentohet të krijohet percepsioni nga ca individë e media) përse nuk bëtë shkarkimin tim para dy muajsh, dhe të punësoni njerëzit, ose përse nuk e lëshuat ripëlqimin për punësimin e të njejtëve ( siç kam kërkuar me 25 korrik) pastaj pas punësimeve, do kishe kohë për inspektime të reja, shkarkime e emërime!
Meqë aq fort ua qani hallin punonjësve dhe ia doni të mirën ansamblit përse pëlqimi nuk është marrë në Financa që 3 muaj ( dhe tani që e keni e mbani peng që dy javë) ?
Zëvendësministër! Mendove se do më lodhësh me lojërat tuaja por ta kam thënë “nuk jam lis që bie me një të rame” dhe ta dëshmova!
Dorëzimi im përpara jush nuk do ndodh, as ska për të ndodhur ndonjëherë, sepse unë rrënjët i kam te lisi i Sylejman Vokshit i cili thoshte dhe tre jetë me jetu nuk kushtëzohem, as nuk dorëzohem! Kam përshtypje se pavarësisht agjendës suaj, në afatgjatësi do dëshpëroheni nga vendimet që do marrin instancat relevante që kanë detyrë të mbrojnë integritetin dhe mandatet, sepse edhe në RMV disa gjëra i përcakton ligji dhe jo dëshirat individuale të “partizanit” partiak të “mveshur” me petkun e pushtetit si i “pari” i kulturës shqiptare apo nga dëshirat e kreut partiak që performancën më të rëndësishme dhe suksesin më të madh në kulturë e përjeton me “hedhjen” e valles rrugëve të Italisë i “brengosur” për fatin e arbëreshëve, në përpjekje për të rehabilituar e promovuar kandidatin e tij për drejtor në ansambël duke keqpërdorur edhe shoqërinë më të vjetër kulturore e artistike të Tetovës “Xheladin Zeqiri”

Në gjithë këtë zhurmë janë edhe disa anë pozitive :
1.pavarësisht epilogut të kësaj odisejade, pushteti aktual është i humbur në këtë betejë sepse është demaskuar çdo plan rreth skenareve të turpit për “ndryshim” në ansambël.
2.konkursi do hapet dhe nuk do u ecë plani i “listave partiake” siç pretendohej para një muaji, sepse 33 artistëve u është premtuar publikisht rregullimi i statusit ( ndonëse herë me kohë të caktuar/ herë të pacaktuar),
3.çështja e shkarkimit të drejtorit- mori përmasa thellësisht politike dhe është stërkequr aq shumë në koluaret artistike mbarëshqiptare sa tashmë dhe Pavarotin me e ngrit prej varri e ta vendosin drejtor nuk u bënë nderë
4.Ky pushtet jolegjitim shqiptar për të bërë pak politikë dëshmoi se shkelë mbi fatin e njerëzve dhe do që të keqpërdorë, shantazhojë e kërcënojë këdo që nuk punon me direktiva, pra nuk e ka fare problem të rrënojë krejt çfarë është ndërtuar!

Skenaret që u bënë me të vetmin motiv: shkarkimin dhe dorëheqje e një një drejtori që nuk “luajti lojën” sipas dëshirave të pushtetit aktual do të marrin fund, por këtë turp tuajin nuk do ta shlyejë asgjë!
Mos harroni një fakt: Ajo që është arritur dhe është brenduar si sukses i pakontestueshëm në ansambël për katër vite e gjysëm, do jetojë përgjithmonë ( deshi apo nuk deshi dikush) dhe për këtë kam arsye të jem shumë krenar e ballëlart sepse vetëm veprat janë ato që shkruajnë historinë dhe ato janë të panumërta në periudhën nëntor 2019/ korrik 2024!

Share

Go toTop