Kush është Kemal Kilicdaroglu, republikani revolucionar turk që sfidoi besueshmërinë e Erdoganit në këto zgjedhje…

Shokët e ngushtë e përshkruajnë si person aq të qetë, saqë ua sfidon durimin edhe kolegëve të tij.

Është ky 74-vjeçari Kemal Kilicdaroglu, kandidati turk për president i cili po ia sfidon pushtetin presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan, pas 20 vjet udhëheqje.

Një ish-nëpunës civil i butë, tamam antiteza e presidentit të madh dhe të fuqishëm të Turqisë, Erdoganit. Dyshja do të përballën në balotazhin presidencial të Turqisë, më 23 maj 2023, pasi presidenti aktual turk, në zgjedhjet e 14 majit, nuk arriti 50%-in e nevojitur për të rimarrë pushtetin me të parën.

Ai ka humbur disa zgjedhje që kur mori drejtimin e Partisë Popullore Republikane (PPR) në vitin 2010, kur paraardhësi i tij u detyrua të largohej për shkak të një lidhjeje jashtëmartesore, shkruan BBC, përcjell gazeta online Reporteri.net.

Kur ta mendosh, ndoshta nuk është kandidati i parë që do t’u shkonte mendja, që gjashtë parti opozitare të bashkohen pas tij vetëm për të sfiduar Erdoganin.

E megjithatë Kemal Kilicdaroglu është një politikan me shumë përvojë. Ai u zgjodh në vitin 2002, në të njëjtin vit që partia e presidentit aktual Erdogan erdhi në pushtet.

Ai u ka mbijetuar një sërë sulmeve të dhunshme, duke fituar reputacionin e të qenit një nga politikanët më të shënjestruar të Turqisë. Madje, atij i është dashur të veshë jelek antiplumb në tubimet e tij të fundit përpara zgjedhjeve të së dielës.

Gjesti që e identifikoi 74 vjeçarin në këto zgjedhje ishte shenja e zemrës që ai e formonte me duart e tij, transmeton Reporteri.net.

Ai ka postuar në rrjetet sociale një sërë videosh nga kuzhina e tij modeste, ku shpesh iu është drejtuar votuesve të rinj për çështje shumë të ndjeshme si të qenit pjesë e një komuniteti pakicë, siç është vetë ai.

Me një ton të butë, ai iu drejtua votuesve duke thënë se do të bashkojë të gjitha shtresat e shoqërisë turke.

Origjina e partisë së tij, Partisë Popullore Republikane, daton që nga themeluesi modern laik i Turqisë, Kemal Ataturk.

Kjo parti konsiderohej prej kohësh e afërt me ushtrinë, e cila ka përmbysur qeverinë katër herë që nga viti 1960 dhe është parë gjithmonë si një parti e ashpër në çështjen e ndarjes së kishës dhe shtetit. Pas grushtshtetit ushtarak në vitin 1980, ajo mbështeti ndalimin e shamive në shkolla dhe shërbime publike.

Figura të tjera partiake si kryetari i bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu (2-R) dhe kryetari i Ankarasë Mansur Yavas (L) u panë gjithashtu si kandidatë presidencialë.

I lindur në dhjetor 1948, Kemal Kilicdaroglu ishte i katërti nga shtatë fëmijët e familjes, të rritur nga një shtëpiake dhe një nëpunës civil, në qytetin lindor të Tuncelit. Ai vjen nga një familje e komunitetit Alevi, një sekt i veçantë islamik dhe pakicë fetare në Turqi, shkruan tutje BBC.

Kilicdaroglu ishte një nxënës i shkëlqyer në shkollë e pastaj edhe si student në Universitetin e Ankarasë, ku studioi ekonominë.

Ai kaloi vite si nëpunës civil nëpër bordet financiare të Turqisë dhe fitoi një reputacion për eliminimin e korrupsionit si drejtor i Institucionit gjithëpërfshirës të Sigurimeve Shoqërore.

Pas shtatë vitesh në parlament, ai u zgjodh për të kandiduar për një nga rolet më të fuqishme dhe prestigjioze të Turqisë, si kryebashkiak i Stambollit. Edhe pse humbi garën, ai mori lëvdata për fushatën që organizoi dhe u bë një ‘nënkampion’ shumë i besueshëm për PPR-në me 37% të votave.

Brenda një viti pas atij suksesi, lideri i Partisë Popullore Republikane dha dorëheqje pas shfaqjes së një video-kasete sekrete ku dyshohej se ishte i përfshirë në një aferë, dhe kështu Kilicdaroglu papritur e gjeti veten si kandidati kryesor për ta marrë mandatin.

Kemal Kilicdaroglu ka pasur vështirësi deri më tani për të rritur mbështetjen e partisë së tij mbi 25%.

Fillimisht, ai refuzoi që të kandidonte për udhëheqje, duke mos dashur të përfitojë nga skandali. Mirëpo tutje ai e zbuti qëndrimin, dhe në fund ia doli të fitojë bindshëm.

Rexhep Tajip Erdogan ishte tashmë në kulmin e fuqisë së tij, duke u bërë kryeministri më i suksesshëm i epokës moderne të Turqisë, pasi fitoi pothuajse gjysmën e votave në zgjedhjet e vitit 2011.

PPR-ja doli e dyta, me diferencë të madhe të votave, por rriti votën e saj me pesë pikë përqindjeje.

Por, në 13 vitet e tij në krye, ai ka udhëhequr një revolucion të qetë brenda partisë. 74-vjeçari është përpjekur të bëjë paqe me islamistët përmes gjesteve si pjesëmarrja në darkat e iftarit dhe ka fshirë kodet e vjetra militariste të partisë.

“Kur e takova për herë të parë, nuk mendova se ai ishte një lider revolucionar, por evolucionar”, tha për BBC-në ish-kolegja e partisë, Melda Onur.

Gjashtë parti opozitare kanë mbledhur forcat për ta sfiduar Rexhep Tajip Erdogan me një kandidat të vetëm
E njëjta thotë se Kilicdaroglu është shumë i vendosur në diçka, kur ai beson se është e duhura.

Kjo, sipas Onur, është arsyeja pse atij iu deshën 13 vjet për ta riformuar partinë e tij, dhe për ta siguruar mbështetjen e tyre për kandidimin e tij për president tash.

Në përputhje me studimet e tij, ai ka mbajtur edhe disiplinë të rreptë financiare. “Ai është shumë i kujdesshëm që të mos shpenzojë kot për gjëra të panevojshme,” tha për BBC-në bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Okan Konuralp.

Me kalimin e kohës ai përfshiu në partinë e tij edhe figura fetare, aktivistë të komunitetit Kurd dhe aktiviste për të drejtat e grave. Këtë e bëri për t’ua dëshmuar shoqërisë turke se PPR-ja ka ndryshuar.

“PPR ka një strukturë dominuese mashkullore, dhe Kilicdaroglu nuk mund ta rrëzonte atë mur plotësisht, por i pëlqen të punojë me gratë,” tha ish-bashkëpuntorja e tij, Melda Onur.

Një koleg i partisë i tha BBC-së se ai kurrë nuk e ngrit zërin.

“Ndonjëherë punët na bëhen lëmsh dhe ne s’durohemi pa bërtitur. Por edhe atëherë, Kilicdaroglu ruan qetësinë,” tha ai.

Në momentin që dikush hyn në dhomë, ai ngrihet në këmbë dhe shtrëngon duart me të, nuk flet kurrë me njerëzit që ulen pas tavolinës dhe kurrë nuk e ndërpret askënd, tha tutje kolegu i tij, për BBC-në, përcjell gazeta online Reporteri.net.

Kjo natyrë e butë e tij në të folur, së bashku me një ngjashmëri fizike me ish-udhëheqësin indian, kanë bërë që atij t’ia japin pseudonimin Gandhi Kemal.

Në mënyrë po ashtu paqësore, 74-vjeçari thuhet se u përgjigjet edhe sulmeve fizike.

Ai u godit dy herë me grusht nga një vizitor në parlament në vitin 2014 teksa do të mbante një fjalim para deputetëve të partisë së tij. Pavarësisht se përfundoi me faqe dhe sy të mavijosur, ai u bëri thirrje kolegëve që të ruajnë qetësinë: “Rruga drejt demokracisë është plot pengesa”, raportohet të ketë thënë Kilicdaroglu.

Në vitin 2016, kolona e tij u sulmua nga një raketë nga grupi militant i Kurdëve dhe më pas vitin e ardhshëm ai i shpëtoi një tentative bombardimi nga grupi militant i Shteti Islamik.

Kemal Kilicdaroglu u sulmua në funeralin e një ushtari në Ankara në vitin 2019.

Ai i mbijetoi një tentative tjetër sulmi në vitin 2019, në funeralin e një ushtari.

“Këto përpjekje nuk mund të na ndalojnë”, kishte thënë ai pasi u mor nën mbikëqyrje nga policia.

Mirëpo ishte grushtshteti i dështuar i 2016-ës, ai i cili bëri që reputacioni i Kemal Kilicdaroglu të përhapej përtej Turqisë.

Ndërsa Presidenti Erdogan goditi turqët që i dilnin kundër, duke arrestuar dhe pushuar disa prej tyre, lideri i opozitës, tash kandidati me të cilin Erdogan ka shkuar në balotazh, nisi një “Marsh për Drejtësi”.

Pavarësisht suksesit që pati ky marsh, Kilicdaroglu zgjodhi mos ta sfidonte presidencën për vitin e ardhshëm, duke pritur pesë vjet të tjera për të shfrytëzuar shansin e tij.

Iu deshën muaj për të bindur partitë e tjera opozitare që të mbështesnin ofertën e tij. PPR ka në përbërje folës më të mirë dhe ndoshta figura të profilit më të lartë që fituan garën për kryetar bashkie në Stamboll dhe Ankara.

Duke mbajtur një tabelë që thoshte “Drejtësia” në turqisht, Kemal Kilicdaroglu mblodhi opozitën kundër presidentit.

Por derisa rivali i tij Erdogan është dobësuar, kolegët e partisë besojnë se ky është momenti i liderit të tyre.

Ai ka arritur gjithashtu t’i bëjë bashkë gjashtë parti opozitare, të cilat përndryshe kanë pak të përbashkëta.

“Nuk kam dëgjuar kurrë një fjalë urrejtjeje nga goja e tij. Ai mund të jetë i zemëruar me dikë, por ruan qetësinë dhe pastaj e fal atë person lehtësisht”, tha Okan Konuralp.

“Kjo është arsyeja pse ai [Kilicdaroglu] mund të bashkëpunojë me politikanë që dikur, në të kaluarën, e kundërshtonin dukshëm”. /Reporteri.net/.

Share

Go toTop