Kryeministri Edi Rama nuk ka pranuar që të komentojë deklaratat e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i cili tha se i ka kërkuar kreut të qeverisë shqiptare që të zhvillojnë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive më 6 Korrik, kur Rama do të jetë në Prishtinë në kuadër të turit që do të zhvillojë në Ballkan. Përndryshe Kurti tha se nuk do të pranojë të zhvillojë takime të tjera me Ramën.
Gjatë një deklarate për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Rama tha se për këtë çështje do të flasë kur të jetë në Prishtinë. “Nuk kam lidhje me këtë, jam këtu vetëm për këtë vendimin e studentëve. Sa i përket vajtjes në Prishtinë dhe të gjithë turit do të flas kur të jetë koha për të folur që është nesër në Prishtinë”, tha Rama.
Në një konferencë shtypi me gazetarët, Kurti bëri të ditur se me rëndësi konsideron mbledhjen e përbashkët për firmosjen e marrëveshjeve të lënë përgjysmë pas anulimit të mbledhjes së 2 qeverive më 14 Qershor, dhe jo takime të tjera.
“Jam në kontakt të drejtpërdrejt me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. E di që do vijë në një vizitë në Prishtinë në kuadër të turit ballkanik. Miqësisht i kam kërkuar që meqënëse do vijë që ta mbajmë edhe mbledhjen e 2 qeverive e cila u anulua pa arsyeshëm ndonëse ishte parashikuar më 14 Qershor në Gjakovë. 13 marrëveshje do duhet të nënshkruheshin të cilat tashmë kanë ngelur në sirtar.
Në mënyrë që këto marrëveshje të nënshkruhen, unë i kam propozuar Kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë le ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të dy qeverive tona të nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara që janë në sirtar e t’i zbatojmë një e orë e më parë.
Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan lider si Kryeministri i Kosovës që e ka mbështetur Procesin e Berlinit. Nëse Kryeministri Edi Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, unë ngelem te qëndrimi që ja kam dhënë se për takimin e ne të dyve ne kemi kontakt të drejtpërdrjet, ne takohemi shumë shpesh.
Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por dhe demokracia e paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohet Kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë. Por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar pa arsye. Unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qerverive, por jo takime të tjera”, u shpreh Kurti.