Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se dakordimi mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, për pikat që synojnë të shtensionojnë situatën në veri të vendit, “do të ndihmojë në përforcimin e fokusit dhe vendosjen e barazisë midis palëve”. Duke listuar pikat për të cilat është rënë dakord në Bratisllavë, mes Besnik Bislimit dhe Mirosllav Lajçak, Kurti tha se ky dakordim synon të ndihmojë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
“Qeveria e Kosovës e shpall publikisht gatishmërinë e saj për të punuar në drejtim të deeskalimit të situatës si dhe për të mos ndërmarr hapa që mund të eskalojnë situatën në veri të vendit tonë. Kjo gjë nënkupton edhe reduktimin e menjëhershëm të ¼ të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale apo në afërsi të tyre. Pra 25% e policëve do të zhvendosen diku tjetër në ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën atje ku ka nevojë më shumë për ta meqenëse konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale situata tash e dy javë situata është krahasimisht shumë më e qetë”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Kurti tha se zgjedhjet e parakohshme në komunat e veriut të Kosovës do të mbahen pas stinës së verës dhe të njëjtat do të zbatohen konform ligjeve vendore
“Qeveria e Kosovës do të bëjë një deklaratë publike ku mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në ato komuna. Kjo do të ndodh pas stinës së verës dhe natyrisht në përputhje të plotë me kuadrin ligjor. Por për të arritur këtë gjë është e domosdoshme të krijohet ambienti i cili e mundëson fushatën e mirëfilltë, pluralizmin politik pjesëmarrjen e komuniteteve lokale dhe që garanton paprekshmërinë e votës. Nuk mund të bëjmë kompromis me sundimin e ligjit sepse ajo do të cenonte rëndë demokracinë”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të zvogëluar praninë policore është arsye për të fajësuar Serbinë.
“Tani do të shihni një truk tjetër që disa njerëz nga Perëndimi po përpiqen ta zbatojnë. Dhe kjo nënkupton që ata do të thonë – kthehuni dhe flisni normalisht. Shtensionimi është kur tërheqin 25 për qind të diçkaje? Një Zot e di se çfarë do të thotë kjo, por ata po kërkojnë një arsye të mjaftueshme për të fajësuar Serbinë”, u shpreh Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë udhërrëfyesin për shtensionimin e situatës veri të Kosovës.
“Ekziston një plan shumë i qartë dhe i përkushtuar për de-përshkallëzimin, një udhërrëfyes për të cilin të dyja palët punuan në fillim të këtij viti. Kjo është absolutisht jetike për të ecur përpara në një mënyrë paqësore. Dhe është e qartë se të dyja palët duhet të përmbushin atë që u ra dakord”, tha Ursula von der Lejen, Presidente e KE-së.
Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës – dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën. /Alsat.mk