Kurti: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, mbetet një dokument i çmuar historik

July 2, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 33 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese, ka thënë se data e 2 korrikut e vitit 1990, është një kapërcim i madh dhe i pakthyeshëm.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se në historinë e përpjekjeve për Republikën e Kosovës, data e 2 korrikut e vitit 1990, është një kapërcim i madh dhe i pakthyeshëm.

“Atë ditë të hënë, plot 33 vite më parë, 114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, shpallën dhe miratuan një deklaratë kushtetuese, me anë të së cilës artikulohej vullneti politik i popullit që i kishte zgjedhur ata delegatë, për një Republikë të Kosovës.

E kërkuar veçanërisht nga demonstratat e vitit 1981 e tutje, Republika e Kosovës për të cilën u miratua kjo deklaratë kushtetuese, do të shpallej dy muaj më vonë më 7 shtator 1990 në Kaçanik, me anë të miratimit të një kushtetute nga po këta delegatë. Ndonëse atë kohë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës e viteve ’90-të të shekullit të kaluar, u jetua politikisht dhe u mirëmbajt intensivisht nga populli i Kosovës si një republikë për rezistencë ndaj Serbisë fashiste, e cila Kosovën e pushtuar në vitin 1912, po e mbante të okupuar nën Jugosllavi”, u shpreh ai.

Kryeministri tutje ka shkruar se “e hartuar si një “akt i vetëvendosjes politike” duke u thirrur “në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve”, Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, mbetet një dokument i çmuar historik, si referencë për vlerat e kahjes politike të rrugëtimit tonë si komb, për republikën e parë të Kosovës”.

“Duke kujtuar 114 delegatët që e nënshkruan Deklaratën e 2 korrikut 1990 dhe të gjithë ata që e mbajtën në këmbë Republikën e Kosovës të pasuar prej saj”. /Telegrafi/

Previous Story

Vjen lajmi i keq për Serbinë, zbardhet pse ushtria dhe policia serbe nuk mund të hyjnë në veri të Kosovës

Next Story

Ali Ahmeti për ngushëllime te familja Aziri në Haraçinë

Latest from Blog

Go toTop