Kryetarja e Komisionit Evropian, Von der Leyen do të vizitojë RMV-në, në fund të këtij muaji

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të arrijë në fund të muajit për vizitë zyrtare në Shkup – njoftoi kryeministri Kovaçevski, ndërsa e konfirmoi edhe ambasadori evropian Gir, transmeton Portalb.mk.

Në pyetjen nëse mesazhet e fundit të Macron nga Tirana lënë të kuptohet se në dhjetor do të ketë një ndarje të pakos Shkup-Tiranë, të dy janë në të njëjtën linjë – Maqedonia duhet të bëjë detyrat e shtëpisë dhe të zbatojë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën evropiane.

Kujtojmë se që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

I pyetur për qëndrimin e tij lidhur me kërkesën e VMRO-DPMNE për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në të njëjtin mandat dhe çka nëse nuk ka cenzus në zgjedhjet presidenciale, ambasadori evropian Gir tha se kjo është një pyetje që shqetëson partitë politike dhe qeverinë.

“Kuptohet që zgjedhjet do të bëhen kur vetë Qeveria dhe të tjerët të bien dakord për datën e zgjedhjeve”, tha ai.

Në lidhje me procesin e skriningut, i cili është në fazën përfundimtare, ambasadori evropian Gir tha se ka vetëm fjalë lavdëruese për punën e përkushtuar të qeveritarëve në këtë proces.

“Sa i përket procesit të skriningut, mund të them vetëm fjalë lavdërimi dhe të përshëndes përkushtimin dhe punën e përkushtuar të qeveritarëve. Mendoj se puna e tyre deri më tani ka qenë shumë e mirë dhe ndërsa i afrohemi përfundimit të këtij procesi mendoj se puna është shumë pozitive”, deklaroi Gir.

Ndryshe, nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.