Kryeministrja italiane, Meloni: Integrimi i Ballkanit në BE është investim strategjik në stabilitet dhe siguri

Për Giorgia Melonin, kryeministren e Italisë, rruga e integrimit evropian të Ballkanit perëndimor, nuk duhet të ngecë pasi çdo gjë që ndodh përtej në krahun tjetër të Adriatikut, sipas saj reflekton edhe në Bashkimin Evropian.

“Ballkani Perëndimor ka pasur gjithmonë një rëndësi strategjike për Italinë dhe qëllimi i kësaj qeverie është të sjellë më shumë Itali në këtë rajon nga pikëpamja politike, ekonomike dhe kulturore. Gjithcka që ndodh përtej Adriatikut ka në mënyrë të pashmangshme një ndikim të menjëhershëm tek ne dhe për këtë arsye Italia ka një përgjegjësi të madhe ndaj Ballkanit”, ka deklaruar kryeministrja Giorgia Meloni në video-mesazhin që u dërgoi pjesëmarrësve në Takimin ministerial për Ballkanin Perëndimor hapur sot në Romë nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Antonio Tajani.

Të pranishëm në takim ishin Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, ministri i Jashtëm suedez Billstroem, si President i Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Varhelyi, transmeton oranews.

“Integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor – u shpreh Meloni – është një investim strategjik në sigurinë e vetë Europës dhe në stabilitetin e zonës, e akoma më shumë në kontekstin aktual ndërkombëtar dhe në dritën e ekspozimit në rritje ndaj kërcënimeve hibride dhe kibernetike”.

“Italia është kontribuuesi i parë evropian për sigurinë e rajonit me misionet KFOR dhe EUFOR Althea dhe synon të vazhdojë në këtë drejtim me vendosmërinë më të madhe”. tha drejtuesja e ekzekutivit italian, që theksoi se “duhet angazhimi i të gjithëve për të çuar përpara në thelb procesin e pajtimit rajonal dhe për të rritur përpjekjet për të kapërcyer barrierat dhe pengesat që e pengojnë rajonin të shfrytëzojë potencialin e tij të plotë”.

Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare kanë vënë në dispozicion të rajonit burime të rëndësishme ekonomike dhe tani është thelbësore të ecim përpara së bashku për të zbatuar në mënyrë efektive Planin Ekonomik dhe të Investimeve dhe në këtë mënyrë të forcohet ekonomia e rajonit dhe të përshpejtojmë integrimin e saj në tregun e vetëm.

Për kryeministrija italiane “mënyra më e mirë për stabilizimin e plotë të Ballkanit është ankorimi definitiv i rajonit në familjen evropiane. Në vitin 2022 arritëm piketa historike: Italia mbështeti me bindje hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe vendimin e Këshillit Evropian për të njohur Bosnjën dhe Hercegovinën si kandidate. Tani duhet të ruajmë këtë ritëm dhe të vazhdojmë me vrull, duke përdorur të gjitha stimujt në dispozicion”.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.