Kryeministri teknik bullgar: Bullgaria nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të RMV-së

Në një intervistë për BTV kryeministri teknik bullgar, Galab Donev u shpreh se Bullgaria nuk dëshiron të ndërhyjë në punët e brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ai tha se ndryshimet kushtetuese dhe miratimi i ligjeve të tjera duhet të vendosen nga secili shtet sipas praktikës së brendshme. “Interpretimi se ne donim të merrnim pjesë në atë proces është i pasaktë”, tha Donev.

Ai kujtoi se RMV ka marrë përsipër të përfshijë bullgarët në Kushtetutë së bashku me të gjitha kombet, gjë që do të garantojë të drejtat e tyre.

Sipas Donev është normale që Maqedonia e Veriut ta përmbushë obligimin e marrë “sepse Republika e Maqedonisë së Veriut, me nënshkrimin e marrëveshjes për anëtarësim dhe fillimin e negociatave me BE-në, e nënshkroi atë marrëveshje me të gjitha vendet anëtare”.

I pyetur nëse Bullgaria duhet të vërë sërish veton ndaj anëtarësimit të RMV-së në BE, Donev tha se “kjo nuk është zgjidhja më korrekte”.

“Kujtojmë se duhet kërkuar një dialog pozitiv dhe mundësi për përafrim të pozicioneve”, deklaroi Donev.

Ndërkohë ministri i Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Nikolaj Milkov, ka sqaruar dje se procesi i ndryshimit të Kushtetutës është sigurisht një çështje e brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Bullgaria nuk do të pranojë asnjë formulim që do t’u jepte maqedonasve të Bullgarisë një status që është në ndonjë mënyrë ndryshe nga ai i pjesëve të tjera të njohura me kushtetutën e popujve të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, deklaroi ai./Telegrafi/

Share

Go toTop