/Editorial i portalit indeks.mk/
Njëri është ministër, tjetri kryetar I komunës “më të majtë” në Maqedoni, atje ku dikur krrisi pushka e parë partizane!
Në mes, një “orë”, që ndan dy kohë e dy botë të tyre.
Kreshniku shkruan: “Kur një “politikani” i mbetet ora (ilustruar në mënyrë vizuele) në të 90-tat, dhe më herët, duket kështu”(tregon me gisht teposhtë postimin e Maksit(Maksim Dimitrievskit): “Korridori 8 lidh një trase në relacionin Shkup-Prishtinë-Tiranë. Shtrohet pyetja vallë shënjimi i vetë korridorit është shenjim i hartës së Iliridës, të cilën e kemi parë shumë herë deri tash? Askush nga bartësit e funksioneve nuk e ka hapur këtë çështje për ta diskutuar?”
Pse është kaq domethënëse fjalia e shkurtër e Kreshnik Bekteshit para këtij citati të kryetarit të Kumanovës? Pse simbolika e orës është shumëkuptimëshe në kontekstin e dhënë?
Sepse, në atë fjali, zhvesh një filozofi demagogjike nga gëzofi të cilin e ka hedhur krahëve personazhi në fjalë për të kamufluar veten. Sepse, ka shumë shqiptarë të Kumanovës, të cilët do të flasin mirë për Maksin të cilit ia ka dhënë votën. Ndoshta nuk kanë faj, nuk kanë ditur çka fshihet nën gëzofin e qengjit. Dy herë të mashtruar, është paksa shumë, por mirë është ta kuptojnë, që të mos ndodhë të mashtrohen edhe për herë të tretë!
Gjithë pajtohen se ndërtimi i KorridoriT 8 dhe atij 10D, ka rëndësi të madhe për vendin. Qëllimi i tyre është lidhja me infrastrukturë rrugore(duke përshirë edhe atë hekurudhore e ujore) që nga Italia(Adriatiku) e gjer në Detin e Zi, ku ndihmohet tregtia e lirë dhe qarkullimi i njerëzve dhe efekti i fundit, i jep krahë zhvillimit të gjithmbarshëm ekonomik. Ajo “trase” lidh Evropën me Azinë, ku e zbuloi Maksi Iliridën në këtë hapësirë kaq të gjerë gjeografike, kur Korridori 8 ka nisur pikërisht nga pjesa lindore e vendit që para tri dekadash?! Nëse Korridori 8 e ka trasenë nga Tetova gjer në Qafë Thanë, Korridori 10 D, shkon nga Manastiri e Prilepi! Mos vallë Maksi edhe ato i sheh si pjesë të Iliridës?
Në anën tjetër, nuk kemi dëgjuar që Prishtina është pjesë e Korridorit 8,ndonëse prej atje deri në Bllacë kanë ndërtuar një rrugë supermoderne. Mos vallë qytetarët dhe sidomos kompanitë e Maqedonisë s’duhet ta frekuentojnë atë për t’i plasuar prodhimet e tyre në një nga tregjet më të mëdha të tyre, Kosovë, sepse Maksi këtë do ta nënkuptonte favor të Iliridës?(Sa për info, Maksi i ka përzier hartat, se Ilirida asnjëherë nuk e ka përfshirë Kosovën?!)
Ora që përmend Kreshniku, pikërisht është ajo domethënia kryesore për profilin e politikanëve të cilët projekteve në interes të përgjithshëm u japin ngjyrime etnike të kohëve të kaluara, jetojnë në botën e konspiracioneve e komploteve të brendshme e të jashtme, ngjashëm si në atë dramën e Dushan Kovaçeviqit, “Spiuni ballkanik”, që ai ndoshta dhe do ta ketë parë, nëse jo si shfaqje teatrore, si film gjithsesi. Atje atij protagonisti gjithkah i duken se po lëvrijnë njerëz të dyshimtë. Edhe Maksit të Kumanovës ashtu i duket, njerëz dhe projekte të dyshimta, për çka kërkon debat për Iliridën te Korridori 8! Nuk i shikon përfitimet kolosale për vendin, por i pengon që mund të përfitojnë shqiptarët, sikur të ishin qytetarë të huaj!?
Kanë thënë kaherë, që, po të mos jetë qesharake, do të ishte tragjike! Dhe vërtet është ashtu: argumentime qesharake të një politikani, si një fakt tragjik që ende ekzistojnë njerëz që nuk janë çliruar nga do klishe e mendësi që i krijoi Millosheviqi dikur, e që një kohë, për fat të keq, vazhduan dhe ja, paskan mbijetuar si vetëdije në Maqedoni deri në ditët e sodit!
Kështu dhe simbolika e Kreshnikut merr kuptim, njëri që është pjesë e një projekti të ardhmërisë, dhe tjetri që është rob i së kaluarës!