Krasniqi: Kërkoj nga organet përgjegjëse që hetimet e plota të bëhen sa më shpejt

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se sulmi i të dielës në fshatin Banjskë në veri është sulm direkt ndaj shtetit të Kosovës.

Në sulmin në Banjskë vdiq një rreshter policor, ndërsa u plagos një polic kufitar.

Krasniqi në postim në Facebook u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve për vetëpërmbajtje, ndërsa ka ftuar partnerët ndërkombëtarë ta dënojnë sulmin dhe t’i kërkojnë Serbisë ndalimin e ndërhyrjeve në territorin e Kosovës.

“Jam i tronditur nga lajmi për vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe plagosjen e një tjetri, sot në pjesën veriore të Kosovës. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes së policit të rënë në detyrë, ndërsa policit të plagosur i uroj shërim sa më të shpejtë. Sot, në këtë moment të dhembjes, qëndrojmë të bashkuar në përkrahje të policëve tanë, të cilët, përkundër sfidave ditore e sulmeve të bandave kriminale të kontrolluara nga Beogradi, po mbrojnë sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të shtetit tonë. Ftoj të gjithë që ta dënojnë fuqishëm këtë sulm kriminal kundër Policisë së Kosovës, që është sulm direkt kundër shtetit të Kosovës. Kërkoj nga organet përgjegjëse që hetimet e plota të bëhen sa më shpejt dhe përgjegjësit të sillen para drejtësisë për të marrë dënimet meritore. Në të njëjtën kohë, apeloj tek të gjithë qytetarët për vigjilencë e vetëpërmbajtje, sepse përshkallëzimi i situatës në veriun e vendit tonë i konvenon vetëm Serbisë dhe bandave kriminale nën kontrollin e saj. Po ashtu, ftoj partnerët ndërkombëtarë të Kosovës që të dënojnë qartë sulmin dhe t’i kërkojnë Serbisë urgjentisht ndalimin e ndërhyrjeve në territorin e Kosovës dhe provokimit të mëtejmë të situatës”, ka shkruar Krasniqi.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.