Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot në Bled të Sllovenisë, ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, ka takuar kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Në takimin ku mori pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, u biseduan për zhvillimet aktuale në procesin e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut. Dy kryeministrat vlerësuan se integrimi evropian është mekanizmi më i mirë për përparimin e RMV-së, i cili ndër të tjera do të mundësojë një ekonomi të qëndrueshme, një standard më të lartë jetese për qytetarët dhe do të sjellë më shumë investime.
“Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili përveç përfitimeve ekonomike do të sigurojë stabilitet dhe siguri në Ballkan”.
Në fund thuhet se të dy qeveritë do të vazhdojnë të avokojnë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe si dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.