Shumë vende konfirmuan se qytetarët e tyre u prekën nga konflikti i fundit izraelito-palestinez, duke përfshirë shumë të zhdukur ose që supozohen si të vdekur, raporton Anadolu.
Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksa-së” kundër Izraelit herët të shtunën, duke lëshuar një breshëri raketash dhe duke u infiltruar në Izrael.
Grupi palestinez i rezistencës tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të bastisjeve në Xhaminë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve kundër palestinezëve.
Si hakmarrje, ushtria izraelite nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” kundër Hamasit në Gaza.
Rajoni Azi-Paqësor
Të paktën 12 qytetarë të Tajlandës mbetën të vdekur ndërsa 11 të tjerë rezultojnë të zhdukur gjatë konfliktit të fundit izraelito-palestinez, thanë të hënën autoritetet tajlandeze.
“Tetë shtetas tajlandezë të plagosur po marrin trajtim mjekësor në spital, 11 shtetas tajlandezë janë marrë peng dhe Ambasada Mbretërore Tajlandeze në Tel Aviv ka marrë raporte nga punëdhënësit se 12 shtetas tajlandezë kanë vdekur”, tha Ministria e Jashtme e Tajlandës në një deklaratë.
Në Izrael ka rreth 30 mijë shtetas tajlandezë. Autoritetet në Filipine thanë se të paktën 5 shtetas filipinas ishin gjithashtu të zhdukur në Izrael. Një filipinas u plagos, raportoi të hënën e përditshmja “Phil Star”.
Ambasada e Kinës në Tel Aviv konfirmoi se një grua e re kinezo-izraelite u mor peng gjatë sulmit të befasishëm nga Hamasi. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada tha se një grua, rrëmbimi i së cilës me motoçikletë u bë virale në mediat sociale, ishte Noa Argamani, një kinezo-izraelite e lindur në Pekin.
“Ajo u rrëmbye nga militantët e Hamasit në një festival muzikor në Izraelin jugor dhe u dërgua në Gaza”, tha ambasada.
Më herët të hënën, Mao Ning, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme të Kinës, tha se Pekini ishte i informuar për rrëmbimin, duke shtuar: “Ne kundërshtojmë çdo sulm dhe dhunë ndaj civilëve, por nuk jam në dijeni të detajeve të incidentit”.
Të paktën 3 shtetas tjerë kinezë u plagosën gjatë konfliktit të armatosur ndërsa 4 të tjerë mbeten të zhdukur, raportojnë mediat kineze. Kryeministri i Kamboxhias, Hun Manet, konfirmoi gjithashtu vdekjen e një studenti kamboxhian në konflikt.
Ambasada e Nepalit në Tel Aviv njoftoi gjithashtu vdekjen e të paktën 10 studentëve nepalezë në sulmet e Hamasit në Izrael, duke shtuar se një tjetër student është zhdukur dhe 4 kanë pësuar lëndime.
Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut njoftoi se nuk është raportuar asnjë plagosje apo vdekje e shtetasve të saj në luftimet në Izrael, ku banojnë rreth 570 koreano-jugorë. Ministria u bëri thirrje shtetasve dhe udhëtarëve koreanë që të largohen nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur.
– Evropë
Dy shtetas spanjollë janë “ndikuar” nga konflikti midis Izraelit dhe Gazës, tha ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, për transmetuesin shtetëror TVE.
Albares nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme mbi gjendjen e tyre, duke thënë vetëm: “Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me familjet e tyre”. Ai tha se po bëhen përpjekje për të sjellë në shtëpi shtetas të tjerë spanjollë që ishin bllokuar në Izrael.
Mediat portugeze raportuan se të paktën 80 shtetas portugezë janë të përfshirë gjithashtu nga dhuna. Ata po kërkojnë ndihmë të menjëhershme nga Ambasada Portugeze në Tel Aviv për t’u larguar nga vendi, njoftoi SIC Noticias.
Gjithashtu, më shumë se 10 britanikë dyshohet se janë të vdekur ose të zhdukur në Izrael, raportoi “Sky News”. Një shtetas britanik që shërbente në ushtrinë izraelite u vra në një sulm nga Hamasi, citon BBC të ketë thënë familja e tij.
Nathanel Young kishte shërbyer në Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kur u vra në kufirin e Gazës të shtunën, tha BBC, duke shtuar se dy shtetas të tjerë britanikë, Jake Marlowe dhe Dan Darlington, janë zhdukur në Izrael pas sulmeve të së shtunës.
Sipas vlerësimeve të qeverisë britanike, rreth 50 mijë shtetas britanikë besohet të jenë në Izrael dhe Gaza. Ministri i parë i Skocisë tha se vjehrrit e tij janë “të bllokuar” në Gaza pasi vizituan familjen, raportoi “Sky News” të hënën.
“Siç e dini, gruaja ime është palestineze, mamaja dhe babai i saj, vjehrrit e mi, të cilët jetojnë në Dundee, jetojnë në Skoci, ata kanë qenë në Gaza dhe aktualisht janë të bllokuar, kam frikë”, citoi “Sky News” të ketë thënë Humza Yousaf.
Amerika e Veriut dhe Jugut
SHBA-ja njoftoi se 9 amerikanë kanë humbur jetën gjatë armiqësive të vazhdueshme në Izrael dhe territoret e pushtuara palestineze.
“Në këtë kohë, ne mund të konfirmojmë vdekjen e 9 shtetasve amerikanë. Ne shprehim ngushëllimet tona më të thella për viktimat dhe familjet e të gjithë të prekurve dhe u urojmë të lënduarve një shërim të shpejtë”, tha një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Anadolu në një përgjigje me email.
“Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër dhe mbetemi në kontakt me partnerët tanë izraelitë, veçanërisht me autoritetet lokale”, shtoi zëdhënësi.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller konfirmoi gjithashtu se ka “shtetas amerikanë të pagjetur dhe ne po punojmë me partnerët tanë izraelitë për të përcaktuar vendndodhjen e tyre”.
Ministrja e Jashtme e Meksikës, Alicia Barcena, në një postim në rrjetet sociale tha se 2 shtetas meksikanë, një grua dhe një burrë, “me sa duket” ishin marrë peng nga Hamasi në Gaza. Në përshkallëzimin e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit, raportohet se 3 shtetas brazilianë janë zhdukur, konfirmoi Ministria e Jashtme braziliane.
Gjithsej 14 mijë brazilianë janë duke banuar aktualisht në Izrael dhe 6 mijë në Palestinë.