Komiteti për marrëdhënie ndërmjet bashkësive shënoi 20 vjetorin

Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, në kuadër të seancës së 17-të, solemnisht e shënoi 20-vjetorin e ekzistimit të tij.

Seancën e hapi kryetarja e Komitetit, Arbana Pasholli, e cila, siç njoftojë nga pres shërbimi i Kuvendit, shprehu nderimin dhe kënaqësinë për këtë jubile, që e shënon aspiratën për të ndërtuar shtet modern me diversitet multietnik.

“Bashkëjetesa ndëretnike mbetet prioritet mbi prioritetet për sigurimin e paqes në vend dhe rajon, dhe në këtë drejtim janë edhe kompetencat e Komitetit që të shqyrtojë çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet bashkësive të ndryshme dhe të përgatisë propozime për zgjidhjen e tyre. Vlerat etike si respekti, përgjegjësia, ndjeshmëria dhe pajtimi janë me rëndësi thelbësore. Kohezioni social nuk mund të arrihet pa kultivuar vetëdijen sociale dhe pa mësuar të reagojmë pa paragjykime dhe urrejtje ndaj kulturave të ndryshme me të cilat jetojmë. Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta””, tha Pasholli.

Fjalim pati edhe nënkryetari i Kuvendit, Hysni Ismaili, i cili e përshëndeti këtë eveniment, që përmbyll një periudhë të rëndësishme të themelimit, rritjes dhe zhvillimit të këtij trupi të kategorisë kushtetuese, sukses i përbashkët i të gjitha përbërjeve parlamentare.

Ai tha se Komiteti u themelua në kohën kur vendi ynë doli nga konflikti ushtarak me nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, akt ky që ndryshoi të ardhmen, por edhe vizionin për të ardhmen e vendit tonë. Të punohet në ngritjen e ndërgjegjësimit qytetar në lidhje me respektimin e diversitetit, për të çrrënjosur gjuhën e urrejtjes dhe nacionalizmin, për të parandaluar diskriminimin! – tha nënkryetari Ismaili.

Ejup Rustemi, si kryetar i parë i Komitetit, foli mbi themelimin e tij, për rrugën e vështirë të zbatimit të Marrëveshjes Kornizë, me qëllim të ndërtimit të shtetit multikulturor, sot anëtar i NATO-s.

Gjithashtu, folën edhe anëtarët e Komitetit: Marija Georgievska, Dafina Stojanoska, Lupço Ballkoski, Latife Shikovska dhe Sanella Shkrijel.

Georgievska apeloi që të garantohet barazia në të gjitha sferat, një shoqëri gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e barabartë për të gjithë. “Të jetojmë për njëri-tjetrin, me njëri-tjetrin, e jo pranë njëri-tjetrit”, tha Georgievska.

Deputetja Stojanoska vazhdoi në këtë drejtim, duke thënë se duhet të krenohemi me pasurinë e kulturave etnike, të cilat duhet të ruhen dhe të kultivohen. Ajo theksoi se vendi tregon kujdes dhe ndjeshmëri për të gjitha bashkësitë etnike dhe për këtë është i njohur në rajon dhe më gjerë.

Nga ana e tij, Ballkoski, si pjesë e komunitetit vllah, u shpreh i kënaqur nga anëtarësimi në Komitet. Ai theksoi se gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme duhet të tregojnë përgjegjësi për vitet e kaluara të punës në fushën e marrëdhënieve ndëretnike.

Shikovska, si anëtare e Komitetit, por edhe kryetare e Grupit Parlamentar Ndërpartiak për mbështetjen e të drejtave të romëve, përfshirjen dhe integrimin e tyre në Republikën e Maqedonisë së Veriut, informoi për të gjitha përpjekjet e bëra dhe kontributin për marrëdhëniet etnike të relaksuara, tolerancën dhe mbështetjen. Një shoqëri për të gjithë dhe të gjithë të mbahemi si një! – përfundoi Shikovska.

Shkrijel tha se ky është vend i diversitetit, i cili është thesar për të cilin duhet të jemi krenarë dhe ta çmojmë. Dallimet identitare duhet të respektohen dhe t’u kalojnë brezave të ardhshëm, duhet respektuar dinjiteti i çdo individi, sepse ndërkulturalizmi kërkon përgjegjësi nga të gjithë.

Në mbledhjen solemne foli edhe Robert Allagjozovski, si koordinator nacional për ndërkulturalizëm, një shoqëri, zhvillim kulturor dhe bashkëpunim ndërresor. Ai bëri me dije se në vitin 2017 filloi të ndërtohet Strategjia Nacionale për zhvillimin e konceptit “Një Shoqëri dhe Interkulturalizëm”, kur situata ishte e keqe, por vitet e kaluara të bashkëpunimit të përbashkët dëshmojnë se kur ka vullnet dhe ndërgjegjësim politik, progresi mund të bëhet dhe të hapërohet drejt së ardhmes së përbashkët.

Komiteti për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive edhe pas 20 vite mbetet i përkushtuar për çështjet funksionale të krijimit të shtetit të drejtë, demokracisë më të mirë dhe prosperitetit më të madh për të gjithë qytetarët, njoftoi pres shërbimi i Kuvendit.

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.