“Koka e gjarprit” nga Sabri Dauti prek skenën nën regji të Mejdi Alidemit

Të hënën mbrëma, në Qendrën Kulturore për të Rinj(MKC) në Shkup, u dha premiera e shfaqjes “Koka e gjarpërit” nga autori Sabri Dauti, në realizim të grupit teatror amator “Bekim Fehmiu”.

Adaptimin skenik të tekstit dhe regjinë i ka bërë aktori Mejdi Alidemi, ndërsa në rolet kryesore u paraqitën Xhavid Qerimi LLovca, Adisa Ibraimi, Vaile Nebi, Blerta Demiri, Xhelal Z Fera, Bajram Ramadani, Tahir Seferi dhe Elma Kadrii, kurse për efektet muzikore u angazhua Xhemail Xhem Buçi.

“Koka e gjarprit” bazohet në një këngë folklorike, e gërshetuar me legjendën e gjarprit të shtëpisë, dhe dramën familjare të kryeprotagonistit, i cili në rrethana të caktuara, lëngon fizikisht nga një sëmundje misterioze, i pafuqishëm që të përmbushë amanetin(besën) e dhënë, që në rrethana të intrigave brenda familjare, atë e sjellin buzë varrit.

Një nga iniciatorët për realizimin e shfaqjes, redaktori i dramës “Koka e gjarprit”, Daut Dauti, është shprehur se e ka pritur me shumë druajtje premierën, sepse është teksti i parë i vënë në skenë i autorit Sabri Zirap Dauti, shokut të tij të të fillores dhe gjimnazit.

“Duke qenë redaktor i të gjitha dramave të botuara të tij, më mundonte kureshtja si duket në skenë një shfaqje në bazë të tekstit të tij, por në fund e pamë, dhe u bindëm në talentin e autorit që na la tepër i ri, para 25 vjetëve. Nëse unë kisha druajtjet, regjisori i shfaqjes, Mejdi Alidemi, në asnjë moment nuk dyshonte. E zgjodhi “Kokën e gjarprit”, e adaptoi në mënyrë adekuate për mundësitë e një teatri amator, zgjodhi aktorë të rinj dhe të tjerë me përvojë, dhe sonte na dha magjinë e aktrimit të aktorëve që ngjiten në skenë pa shkollë aktrimi, por që me shumë entuziazëm e përkushtim u qasen roleve të tyre.”, është shprehur në facebook Dauti.

“Këta të rinj, me ata me përvojë, kanë një “dirigjent”, të palodhshmin Mejdi Alidemi, i cili qe pesë dekada zbulon talente të skenës dhe i bën ata të ndihen si aktorë të vërtetë, për çka i dëshiroj të vë në skenë edhe shumë shfaqje dhe të zbulojë edhe shumë të rinj të talentuar!” kashkruar ai.

“Ishte një kënaqësi e veçantë për mua sepse ishte një sukses i shkëlqyer i punës tonë vlerësuar nga performansa e tyre në skenë. Salla e mbushur plot me artdashës është një motiv shtesë të vazhdojmë edhe më tutje me aktivitete të tilla kulturore.”, është shprehur në facebook, drejtori i Shtëpisë së Kulturës “Koço Racin”, Safet Kamberi.

Kjo shtëpi e kulturës i ka ofruar mbështetje logjistike këtij projekti teatror, kurse mbështetjen financiare Qyteti i Shkupit.

Regjisori Alidemi, i cili ishte tejet i kënaqur nga jehona që pati shfaqja te publiku, planifikon që atë ta japin edhe në Kosovë, për çka nevojitet mbështetje plotësuese nga sponsorë eventualë./indeks.mk

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.