“Kjo është një gënjeshtër”, Benzema i hedh poshtë akuzat për lidhje me Vëllazërinë Myslimane

Karim Benzema e ka kundërshtuar fuqishëm, përmes avokatit të tij, akuzën e ministrit të brendshëm francez, Gerald Darmanin, i cili të hënën në mbrëmje e akuzoi futbollistin francez se kishte “lidhje famëkeqe me Vëllazërinë Myslimane.”

Fituesi i Topit të Artë e mohoi lidhjen e supozuar me organizatën islamike të lindur në Egjipt.

“Kjo është një gënjeshtër. Karim Benzema nuk ka pasur kurrë as më të voglën marrëdhënie me këtë organizatë”, ka reaguar në një deklaratë për shtyp avokati Hugues Vigier, përcjell “Gazeta Express”.

“Të lutesh për popullsinë civile që gjendet nën bomba, të cilat nuk i kursejnë as gratë e as fëmijët, padyshim që nuk përbën ‘propagandë për Hamasin’, as ‘bashkëfajësi në terrorizëm dhe as akte bashkëpunimi’”, shtoi avokati i ish-futbollistit të Lyonit dhe Real Madridit.

“Është, dua të besoj, dhembshuri e natyrshme përballë asaj që sot shumëkush po e përshkruan si krim lufte që kryhet në Gaza, por që nuk heq asgjë nga tmerri i akteve terroriste të 7 tetorit, që nuk mund të diskutohet”, shtoi ai, duke e paralajmëruar paraqitjen e një ankese kundër ministrit të brendshëm për shpifje ose për fyerje publike.

Ai insiston se është e patolerueshme që Karim Benzema, një fytyrë publike, të marrë akuza të tilla.

 

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.