Gazetari dhe komentuesi i çështjeve politike Destan Jonuzi, thotë se retorika e ashpra e VMRO-DPMNE-së ndaj problemit me Bullgarinë, ka bërë që të rritet euroskepticizmin tek qytetarët maqedonas. Ai gjithashtu thotë se kjo retorikë ka përkeqësuar edhe marrëdhëniet ndëretnike, tek qytetarët jo maqedonas që në shumicë janë pro integrimit të Maqedonisë së Veriut në Evropë.
“Kontestimi i Marrëveshjes së Prespës, për të cilën sot heshtë opozita dhe opozitari Hristijan Mickoski, edhe pse gjatë nënshkrimit të saj bënte shumë zhurmë, marrëveshjeve për fqinjësi të mirë, së fundmi edhe të ndryshimeve kushtetuese që janë “çelësi” për ecjen pa pengesa të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimit në BE, ka sjell në masë të madhe që në mesin e bashkëqytetarëve tanë maqedonas të rritet skepticizmi evropian. Retorika e ashpër e VMRO-DPMNE-së ndaj problemit me Bullgarinë, jo vetëm që rrit euroskepticizmin, por përkeqëson edhe marrëdhëniet e brendshme ndër-etnike, ndaj qytetarëve jo maqedonas që në shumicë janë pro-integrimit të Maqedonisë së Veriut në Evropë”, thotë Jonuzi.
Sipas tij, elita politike dhe ajo intelektuale në Maqedoninë e Veriut duhet të reflektojnë mbi këtë çështje, duke e ndryshuar këtu edhe diskursin e tyre politik.
“Elita të caktuara politike dhe intelektuale maqedonase në vend duhet ti thirrin mendjes, në veçanti opozitarja VMRO-DPMNE dhe të ndryshojë diskursin e saj politik. Ajo, ndryshimet kushtetuese në Preambulë nuk duhet ti paraqes si diçka që do të çojë në humnerë vendin, por si një akt sublim demokratik që do t`i sjell vendit prosperitet ekonomik, sundim të ligjit etj. Qarqe të caktuara politike, sidomos opozitarja VMRO-DPMNE dhe ultraradikalja Levica kanë kontribuar shumë në rritjen e euroskepticizmit te bashkëqytetarët tonë maqedonas”, thekson Destani, duke shtuar se në rastin e shqiptarëve, elita intelektuale ashtu edhe ajo politike kanë qëndrim të qartë në favor të integrimin të vendit në BE, pa asnjë përjashtim.
Ndryshe, analiza e 3 sondazheve të fundit të kryera në 4 vitet e fundit tregon se nga viti 2019 e deri më sot, mbështetja ka rënë ndjeshëm. Nëse në vitin 2019, 67.4% e të anketuarve mbështesnin anëtarësimin në Bashkimin Evropian, në vitin 2020 numri ra në 65.5%, dhe sot është në nivelin më të ulët prej 55.8%. Ashtu siç pritej, në një situatë të tillë rritet numri i qytetarëve që janë kundër. Nga 17.3% që ishin kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2019, numri sot ka shkuar në 24.8%, që do të thotë se çdo i katërti qytetar i Maqedonisë është kundër anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Përkrahësit më të mëdhenj të anëtarësimit në BE janë të rinjtë dhe kundërshtarët më të mëdhenj janë qytetarët e moshës 30 deri në 40 vjeç./KDP