Të gjithë në rajon po bëjmë përpjekje që në kuadër të mundësive tona t’u ndihmojmë qytetarëve, ta ulim inflacionin dhe presionin mbi standardin jetësor, deklaroi sot zëvendëskryeministri malazez dhe ministër i Bujqësisë, Vladimir Jokoviq, i cili po merr pjesë në një ngjarje në Shkup me rastin e Ditës Botërore të Vranecit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve se si Mali i Zi po përballet me inflacionin dhe si u ndihmon qytetarëve, theksoi se si shtet i varur nga importi i produkteve bujqësore në kuadër të mundësive bëjnë aq sa munden që t’u ndihmojnë qytetarëve. Kanë programe sociale përmes të cilave u kanë ndihmuar pensionistëve, ndërsa po përgatitet edhe kufizimi i çmimeve të produkteve bazike për jetesë.
“Zhvillimet e padëshiruara globale ndikuan shumë në inflacionin dhe çmimin e ushqimeve, ndërsa ne si vend që jemi shumë të varur nga importi i produkteve bujqësore dhe ushqimore jemi të prekur. Qeveria në kuadër të mundësive tona po bën aq sa mundet për të ulur sa më shumë çmimet e produkteve bujqësore, por kur ato importohen dhe çmimet në tregje dhe bursa janë të larta, nuk mund të bëhet shumë. Prandaj kemi programe sociale përmes të cilave kemi ndihmuar pensionistët me aq sa kemi mundur. As Maqedonia dhe as Mali i Zi nuk janë vende shumë të zhvilluara me kapital dhe fonde të mëdha në buxhetet e tyre. Nëse do të kishim pse të mos jepnim? Qeveritë ekzistojnë për të ndihmuar qytetarët, për të ofruar arsim të mirë, shëndetësi, siguri, standarde… Të gjithë në rajon po përpiqen, sigurisht që burimet tona janë të kufizuara, ne ndihmojmë me aq sa mundemi, besoj se kjo bëhet edhe në Maqedoni”, deklaroi Jokoviq.
Vijon, siç shtoi, procesi i kufizimit të çmimeve të produkeve bazike për jetesë, por nëse importojmë nga jashtë me çmim të caktuar nuk kemi mundësi që ta shesim më lirë.
“Këtu është edhe çmimi i naftës i cili rritet në bursat botërore, ndërsa menjëherë pastaj ndikon gati te të gjitha lëvizjet në ekonomi. Si shtete po bëjmë përpjekje që ta ulim inflacionin dhe presionin mbi standardin e qytetarëve”, theksoi Jokoviq, i cili me nikoqirin e tij, ministrin e Bujqësisë, Lupço Nikollovski folën në ngjarjen me rastin e Ditës Botërore të Vranecit.