Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar “arritje të madhe kombëtare” arritjen e konsensusit mes PD dhe PS për miratimin e rezolutës së Kosovës për sulmin në Banjskë më 24 shtator nga një grup serbësh.
Berisha theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovësduhet të ndërtohen në parimin e mosndërhyrjes në mënyrë kategorike në punët e brendshme, duke shtuar se “jemi vëllezër, por dy shtetet të pavarura”.
I pyetur se si u arrit konsensusi, Berisha u përgjigj se do merret vesh aq sa u zbulua se çfarë ndodhi me Ballkanin e Hapur.
“Kemi qenë në qëndrime të kundërta për Kosovë. Marrëdhëniet Shqipërisë me Kosovën duhet të ndërtohen në parimin e mosndërhyrjes në mënyrë kategorike në punët e brendshme. Jemi vëllezër, por dy shtetet të pavarura. Respektimi i vullnetit të zgjedhësve në dy vendet është kusht themelor, por kjo s’ka ndodhur.
Konsensusi është arritje e madhe kombëtare, u ra dakord që të mbështetet plotësisht rezoluta e Kosovës.
Këtë prisnim shqiptarët e Kosovës nga Parlamenti i Shqipërisë, plus dy rekomandime të tjera.
Aq sa mund ta merrni vesh çfarë ndodhi me Ballkanin e Hapur, me promotorin e tij. E rëndësishme është të votohet, është akt i rëndësishëm në një moment të rëndësishëm”, tha Berisha.