Izraeli njofton se kreu sulme me tanke dhe avionë luftarakë në Gazë

Ushtria e Izraelit tha të premten se forcat e veta tokësore, të ndihmuara nga avionët luftarakë dhe dronët, kryen sulme në qendër të Rripit të Gazës gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes.

Kjo është nata e dytë radhazi që Izraeli kryen sulme të shkurtra tokësore në Gazë prej se shpërtheu lufta më 7 tetor, teksa po përgatitet për një pushtim tokësor të enklavës.

“Gjatë ditës së fundit, forcat tokësore të IDF-së, të shoqëruara nga avionët luftarakë dhe UAVs të IDF-së, kryen sulme të shënjestruara shtesë në qendër të Rripit të Gazës”, tha Ushtria e Izraelit të premten në mëngjes.

Ajo tha se “IDF-ja identifikoi dhe goditi caqe të shumta terroriste, përfshirë fushat e lëshimit të raketave anti-tanke, qendrat ushtarake të komandës dhe kontrollit, si dhe terroristët e Hamasit”.

“Trupat u larguan nga zona pas përfundimit të aktivitetit”, theksoi ajo.

Pamjet e publikuara nga ushtria shfaqën një autokolonë të autoblindave, si dhe re pluhuri pas sulmeve.

Ushtria e Izraelit e kreu një sulm të ngjashëm tokësor duke përdorur tanke dhe këmbësori edhe natën paraprake në pjesën veriore të territorit palestinez.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha gjatë kësaj jave se vendi i tij po “përgatitet për një pushtim tokësor” të Rripit të Gazës.

Më 7 tetor, militantët e Hamasit i thyen pengesat kufitare dhe u futën nga Gaza në qytetet e Izraelit jugor, duke i vrarë 1.400 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 224 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Në bombardimet hakmarrëse izraelite janë vrarë së paku 7.028 palestinezë në Rripin e Gazës, përfshirë 2.913 fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

Numri i të vdekurve i dhënë nga Hamasi nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

 

Share

About Us

Follow Us

Copyright 2023. All Rights Reserved.