Inteligjenca britanike: Shpërthimi në spitalin e Gazës erdhi nga një raketë e lëshuar nga Palestina jo Izraeli!

October 24, 2023

Qeveria britanike tha se ka ardhur në përfundim se shpërthimi shkatërrues në një spital në Gazë me gjasë është shkaktuar nga një raketë e lëshuar nga brenda territorit palestinez, e jo nga një sulm ajror izraelit.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, u tha ligjvënësve në Parlament se bazuar në vlerësimin e inteligjencës, “Qeveria britanike gjykon se shpërthimi me gjasë u shkaktua nga një raketë, që ishte lëshuar nga brenda Gazës drejt Izraelit”.

Ky përfundim përkon edhe me vlerësimet e zyrtarëve amerikanë dhe francezë lidhur me shpërthimin e 17 tetorit në spitalin Al-Ahli në Qytetin e Gazës.

Zyrtarët në Rripin e Gazës – që udhëhiqet nga grupi militant palestinez Hamas – kanë fajësuar një sulm ajror izraelit dhe kanë thënë se si pasojë e shpërthimit janë vrarë pothuajse 500 persona. Ndërkaq, në një vlerësim të inteligjencës amerikane thuhet se mes 100 deri në 300 palestinezë ka gjasa që janë vrarë gjatë shpërthimit.

Militantët e Hamasit nisën sulme të koordinuara ndaj Izraelit më 7 tetor. Izraeli është kundërpërgjigjur me bombardime të vazhdueshme në Rripin e Gazës, ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë.

Izraeli ka paralajmëruar një ofensivë tokësore në Gazë për të luftuar militantët e Hamasit. Megjithatë, nuk është dhënë ndonjë afat se kur mund të ndodhë një sulm tokësor.

/Euronews Albania

Previous Story

Obama: Izraeli ka të drejtë të mbrohet karshi sulmeve të Hamasit

Next Story

Konferencë e OSBE-së mbi sigurinë kibernetike në Shkup

Latest from Blog

Go toTop