(In)kompetenca e kandidatëve presidencialë/ Bujar Osmani, ka përvojë politike dhe është figurë e etabluar ndërkombëtarisht

-Analistët mendojnë se nga të gjithë kandidatët, për nga profesionalizmi dhe përvoja në kryerjen e detyrave të larta shtetërore dhe politike, veçohen edhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska –Davkova, ndërkaq Taravarit dhe Vankovskës, u mungon pëvoja institucionale për këtë post.

Analisti politik Driton Zenku, sa u përket kompetencave për ushtrimin e postit të presidentit, është shprehur se disa nga kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut, dallohen nga të tjerët për përvojën e tyre të thellë politike dhe diplomatike.
Ndër kandidatët më të spikatur sipas tij, janë Bujar Osmani, me një kontribut të madh në diplomacinë e vendit, dhe një figurë kyçe në skenën ndërkombëtare. Pastaj veçon Presidentin aktual, Stevo Pendarovski, i cili ka një mandat pesëvjeçar në detyrë dhe një histori të gjatë në politikë dhe diplomaci, dhe Gordana Siljanovska-Davkovën, me një karrierë të pasur ndërkombëtare, përfshirë pozita në Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Evropës.

“Nëse shikoni eksperiencën politike të kandidatëve për president, në avantazh janë presidenti aktual Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska – Davkova dhe Bujar Osmani. Pendarovski pesë vite qëndron në Vilën Vodno dhe ka bagazh të mjaftueshëm politik dhe diplomatik. Pendarovski ka studiuar shkencat politike dhe ka qenë këshilltar kryesor i politikës së jashtme të ish presidentëve Boris Trajkovski dhe Branko Cërvenkovski. Ka një përvojë institucionale nga viti 1998. Bujar Osmani është një kalibër i njohur diplomatik dhe aktualisht ushtron postin e ministrit të punëve të jashtme. Nga viti 2008 ka qenë i kyçur në pozicione të larta qeveritare. Viteve të fundit ka qenë i angazhuar në diplomacinë e vendit, njëherë si zëvendëskryeministër për çështje europiane dhe tani si ministër i jashtëm. Kulminacionin e arriti me kryesimin e OSBE-së. Osmani është një figurë e etabluar në diplomacinë ndërkombëtare. Gordana Siljanovska – Davkova ka eksperiencë në rrafshin ndërkombëtar duke qenë më herët eksperte e Kombeve të Bashkuara dhe Zëvendës Presidente e Grupit të Pavarur të Vetëqeverisjes Lokale të Këshillit të Evropës”, thotë Zenku.

Zenku gjithashtu foli edhe për dy kanditatët e tjerëopozitarë, Arben Taravarin dhe Biljana Vankovskën, të cilët sipas tij janë të njohur për përvojën e tyre në fushat përkatëse të mjekësisë dhe akademisë, por jo aq në diplomaci dhe politikë institucionale.

“Arben Taravari ka karrierë në mjekësi dhe ka qenë ministër i shëndetësisë dhe aktualisht është kryetar i komunës së Gostivarit. Diplomacinë nuk është se e ka pasur si detyrë. Biljana Vankovska është doktor i shkencave politike dhe ka një përvojë akademike por jo edhe institucionale. Ky do të ishte letërnjoftimi i shkurtër i pesë pretendentëve kryesorë për të parin e shtetit”, deklaroi Driton Zenku njohës i mirë i zhvillimeve politike, për portalin indeks.mk

Në lidhje me këtë çështje, analisti politik Blerim Hyseni, theksoi se shumë nga kandidatët për president posedojnë jo vetëm njohuritë dhe përvojën e nevojshme profesionale, por edhe një histori të gjatë në fushën politike. Sipas tij, këta kandidatë janë të përgatitur mirë megjithatë, sfida mbetet nëse mund të bindin votuesit me programet e tyre për të fituar mbështetjen e tyre.

“Sigurisht që një numër i kandidatëve kanë përgatitjet e nevojshme profesionale por edhe eksperiencën disa vjeçare në politikë prandaj vlerësoj që kandidatët për president kanë përgatitjet, por nuk dihet nëse do të arrijnë të imponojnë platformat e tyre para qytetarëve për të fituar besimin e tyre. Përveç kësaj duhet pasur parasysh se në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale do të kemi votim etnik ndërsa gjërat do të kristalizohen në rrethin e dytë zgjedhor”, tha Hyseni. /Indeks.mk

Share

Go toTop