Igor Tudor lë të hapur derën për rikthimin si trajner te Juventusi

Trajneri i Olympique Marseille, Igor Tudor, i lidhur me punën e Juventusit, zbulon se do të flasë me drejtuesit e klubit të tij javën e ardhshme.

Ish-reprezentuesi kroat, një ish-mbrojtës i Juventusit dhe ndihmës trajner i Andrea Pirlos në sezonin 2020/21, është një nga kandidatët për të zëvendësuar Massimiliano Allegrin sezonin e ardhshëm.

I pyetur për të ardhmen e tij në klub gjatë një konference për shtyp të enjten, Tudor la të hapur derën e rikthimit te Juventusi.

“Mendoj se do të flas me Marseille javën e ardhshme. Unë jam në marrëdhënie të mira me ta dhe mendoj se nuk kam pasur kurrë më parë këtë lloj marrëdhënieje dhe shkëmbimi idesh”.

“Kam mbështetjen maksimale në çdo gjë. Ata besojnë në atë që po bëj. Ata janë të gjithë drejtues të nivelit të lartë, por do të shohim javën e ardhshme”, ka thënë Tudor.

Tudor kaloi pothuajse një dekadë te Juventusi si futbollist, duke luajtur në Torino nga viti 1998 deri në 2005. Ai shënoi 21 gola në 174 paraqitje me Zonjën e Vjetër gjatë qëndrimit të tij në klub.

45-vjeçari tashmë ka trajnuar Udinese dhe Hellas Verona në Serie A dhe është punësuar nga Marseille në vitin 2022. Skuadra e Ligue 1 është e treta në tabelë, 11 pikë më pak se lideri PSG.

Drejtorët e Juventus raportohet se po shqyrtojnë të ardhmen e Massimiliano Allegrit, i cili është nën kontratë në Allianz Stadium deri në qershor 2025. /Telegrafi/

Share

Go toTop