Historiani e ish diplomati Ylber Hysa, s’kurseu në vlerësimin e tij as qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti në realizimin e premtimeve elektorale anti-shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga qeveria e re maqedonase ku VLEN është partner besnik, transmeton Gazeta Metro.
Në RTK ish ambasadori në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, Ylber Hysa, u pyet edhe rreth zhvillimeve të fundit në Maqedoni të Veriut, posaçrisht pas alarmit të ngritur nga kreu i BDI, Ali Ahmeti me letrën e dërguar.
Në tre çështjet e ngritura nga Ahmeti, ish diplomati Hysa theksoi se nuk janë fare rastësi por në fakt janë përmbushje e premtimeve elektorale të VMRO-DPMNE që udhëhoqi fushatë anti-shqiptare e tani edhe politika. Si vendimi për balancuesin e ashtu edhe për gjuhën. Hysa shtoi se afrimi i Hristijan Mickoski me Serbinë e me Hungarinë s’është i habitshëm por i pritshëm dhe indikacionet ishin aty për të gjithë. Si afërsia me Serbinë , po ashtu edhe me Rusinë madje.
Sa i përket faktorit politik shqiptar ai tha se siç po shihet VLEN hapur është partner besnik i Mickoski dhe po i kryen punën e justifikimit të politikave të tilla duke fajësuar BDI’në opozitare.
“Partneri qeveritar VLEN, i sponsorizuar deri në vetulla nga kryeministri i Kosovës, zoti Kurti, jo që nuk ka reaguar ndaj këtyre zhvillimeve por në fakt e ka fajësuar BDI’në. Zoti Mickoski ndjehet rehat pasi pranë e ka një partner që i arsyeton veprimet e tij.”
Hysa nuk përjashtoi nga hisja e këtyre zhvillimeve aspak qeverinë e Kosovës e as kreun e saj, duke e përshkruar e vlerësuar përfshirjen si direkte nga ana e kryeministrit Kurti. Ai zbuloi detaje të këtij involvimi.
“Besoj që zoti Ahmeti është tërësisht koshient që kjo që po iu ndodh shqiptarëve në Maqedoni me këtë degradim është mu zoti Kurti, Ai e respektoi si kryeministër të Kosovës. Sepse zoti Kurti është direkt, me kokë e këmbë, përgjegjës për një qeveri të tillë që po zbaton politikë të tillë anti-shqiptare por nëse doni edhe anti-perëndimore”.
Ai shpjegoi se kjo nisi me instrumentalizimin e tani ministrit të shëndetësisë zotit Taravari si kandidat presidencial nga që i mundësoi fitoren tani presidentes Gordana Siljanovska-Davkova që herën e parë kur garoi ishte mposhtur nga Stevo Pendarovski pikërisht me votën shqiptare. Paraprakisht ai u thellua në detaje se çfarë kandidati refuzoi ta mbështeste Kurti.
Së paku 25 emërime të shqiptarëve në poste kryesore në siguri i renditi Hysa që i ka kryer Pendarovski sip resident maqedonas. Si në ushtri e polici e theksoi. Poste të rëndësishme si shefin e kundërzbulimit ushtarak e shefin e operacioneve ushtarake. Shtatë komandantë të brigadave, shefin e Policisë Ushtarake e Keshilltarin për siguri kombëtare mes të tjerëve i përmendi Hysa.
“Asnjë nga këta më nuk është në poste. Asnjëri. Madje as truproje më nuk ka shqiptarë për kryeministrin e presidenten e lëre më për poste të rëndësishme” tha ai dhe theksoi ”ishte mu ish presidenti Pendarovski i cili e takoi në Prishtinë zotin Kurti të cilin e kishte lutur që shqiptarët të mos kishin një kundër kandidat…Bëhet fjalë për një situatë të qartë. Zoti Kurti i kishte deklaruar ish presidentit Pendarovski se ai ka dy qëllime në jetë. Në Kosovë e ka arritur, që ta heqë luftën nga politika e tani do ta bëjë në Maqedoni”./gazetametro.net