Luiz Ejlli është kthyer në personin më të famshëm dhe më të njohur për momentin në Shqipëri e diasporë.
Falë hyrjes së tij në Big Brother Vip, Luizi tregoi pjesë nga vetja dhe jeta e tij që tërhoqën vëmendjen e mijëra shqiptarëve, të cilët janë kthyer në “tifozë” të vërtetë të Luizit.
Shumë është folur për jetën e Luizit para lojës, për lidhjen e tij 10-vjeçare me vajzën e Jozëfina Topallit dhe borxhet.
Për këtë Luizi foli vetë në spektaklin e së shtunës në linjën e jetës. Gazeta Dita ka bërë një investigim në lidhje me borxhet e Luizit, mashtrimin dhe sekuestrimn e llogarive bankare nga IUTE CREDIT.
Historia e Luiz Ejllit është historia e mijëra të rinjve dhe të rejave të thjeshtë të këtij vendi, të cilët jetuan në demokracinë që flet shqip.
Me ndryshimin e vetëm dhe të rrallë, që historia e Luizit, pati një “happy-end”. Luiz Ejlli është sot shqiptari më i njohur dhe i komentuar nga të gjithë, brenda dhe jashtë kufijve, përfshirë diasporën dhe Kosovën.
I admiruar nga një shumicë milionëshe që, për pasion me siguri do kalonte edhe përkrahësit më të zjarrtë të të gjitha partive politike të marra së bashku, Ejlli as nuk e imagjinon dot (deri të dielën) se çfarë ndikimi dhe force ka historia e jetës së tij tek miliona të rinj dhe të reja, njerëzit e thjeshtë, populli i zakonshëm.
Jetën prej 37 vitesh ai e tregoi në ngashërim dhe përlotur të shtunën mbrëma, si për të vulosur në zemrën e të gjithëve, thirrjen: Ma ndryshoni fatin o njerëz!
Luiz Ejlli, vjen nga një familje e thjeshtë shkodrane, lindur në një qytet me shumë art, histori dhe vuajtje. Si pinjoll i mijëra familjeve të zakonshme shqiptare, ai u rrit përvuajtur në demokracinë e ’91, ’97 dhe gjithë viteve që solli shekulli 21. U përpoq të ndërtojë një jetë brenda artit, këngës, muzikës. Ia doli disi me fitimin e një konkurrimi – Festivalit të 44-ët në RTSH dhe pjesëmarrjen në një tjetër, Eurovision 2006.
Por arti në Shqipëri nuk të jep “bukë” vec çmimeve. Bëri kompromis me dashurinë të përzier me pushtet, kur u bë “dhëndri i Jozefinës”, politikanes së ashpër të Partisë Demokratike, e cila mbahet mend për shprehjen, por dhe sjelljen “Kapeni për zhelesh dhe nxirreni jashtë”.
Luizi në rrëfimin e tij tregoi se ndarja me të bijën e Jozefinës, përfundoi në një vetmi dhe disfatë të madhe, në një sedilje makine, me 37 mijë lek në xhep, pa shtëpi dhe më pas, pa punë, praktikisht i përzënë prej zhelesh jashtë, nga një jetë 10 vjeçare.
Fatin e sa të rinjve shqiptarë 20, 30 apo 40 vjeçarë ka shenjuar historia e Luiz Ejllit? Të talentuar, të zhgënjyer nga dashuria dhe jeta, të papunë, të nëpërkëmbur dhe të zhvlerësuar nga shoqëria dhe “demokracia”?
Luizi i tregoi rinisë dhe shoqërisë se ishte mbytur në borxhe, ndaj e don’ dëshpërimisht çmimin, për një fillim të ri, jetë të re. Për të krijuar një familje, një strehë të tijën, pa lakun e borxhit dhe pa kompromisin e titullit të vjetër “kollovar”. Natyrisht që rinia po ‘tërbohet’ duke e nxjerrë fitues me mesazhe dhe përkrahje të shfrenuar. Politika e të dyja krahëve po druhet të reshtohet e ta gllabërojë. Po ruan me frikë deri të djelën…se fenomeni “Luiz” mund të jetë një goditje fatale për ta. Ai mund të akuzojë!
Sot, do akuzojmë në emër të tij. I kapur nga dara e “Iute”, Luiz Ejlli është një nga mijëra viktimat e aktivitetit të mikrokredive në Shqipëri. Në borxh 2 milion lekë të vjetra për shkak të një mikrokredie, Luizit i është bllokuar llogaria bankare nga 7 Prilli, duke e lënë pa asnjë lek deri në 24 Dhjetor 2022, kur Big Brother-i i hapi një “llogari” me çek të bardhë…
Burime nga banka Raiffeisen, tregojnë për DITA se llogaritë e sekuestruara si e Luiz Ejllit janë me mijëra, mbushur me emra të rinjsh e të rejash nga të gjitha fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë. Ata bllokohen për shkak të borxheve të kredive konsumatore që merren lehtë edhe online, vetëm me një kartë identiteti, sidomos tek Iute.
Mikrokreditë e Iutes variojnë në vlera nga 200 mijë – 1 milion lekë të vjetra, me afat 1 deri në 36 muaj, që “luizët” i marrin zakonisht për nevoja emergjente, halle që s`presin por edhe blerje në qendra biznesi, dyqane elektroshtëpiakesh ose telefonash. Vetëm për vitin 2022, janë më shumë se 15 000 llogari individësh të sekuestruara vetëm për interes të Iutes-s, pohon burimi i bankës. Këto mikrokredi aplikohen në dyqane, ose nëpër kioskat e shumta që janë hapur kudo në Shqipëri.
Rastin e tij Luiz Ejlli do ta tregojë vetë me detaje, kur të dalë. Ai do i tregojë popullit të tij se sa para mori tek Iute, çfarë halli kishte, sa pagoi dhe nëse e dinte se do paguante shumëfish në fund.
Nëse e dinte se ndaj tij është zhvilluar një gjyq në Tiranë, në 25 Mars 2021, kur Gjykata nxorri një urdhër ekzekutimi që ai të paguante, sa lekë? Nëse e dinte se “Iute” e shiti kredinë e tij tek një tjetër mikrofinancë me emrin “Final”. Nëse e dinte se “Final” caktoi një kompani tjetër “ADCA” që të mblidhte borxhin ndaj tij dhe, nëse e dinte se një përmbarues ia kishte bllokuar llogaritë për borxhin serial, 208 mijë lek të vjetra! /Revistja Kosovarja