Kryeministri i arratisur Nikolla Gruevski, ish-ministri i Financave, Zoran Stavreski dhe ajo e Kulturës Elizabeta Kançeska-Milevska, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe kompetencave dhe për pastrim parash në hetimin për “Shkupit 2014”, në këtë rast për 11 monumente, përfshirë edhe atë “Luftëtari mbi kalë”.
Prokurori Lape ka thënë se për “Shkupi 2014” nuk ka asnjë program, dokument apo dokumentacion dhe në këtë emër, përmes vendimeve të kundërligjshme të propozuara nga të dyshuarit, në Komunën Qendër janë bërë prokurime publike të kundërligjshme për ndërtimin e monumenteve të cilët cilësohen si historik për shtetin e Maqedonisë, kjo që është kompetencë e Kuvendit.
Gruevski, së bashku me zëvendëskryeministrin Zoran Stavreski dhe kryetarin e komunës Vladimir Todoroviq, këshilltarët dhe kryetarin e Këshillit të Komunës Qendër Vladimir Zdraev, lidhën dhe filluan zbatimin e projektit “Shkupi 2014” për të cilin nuk ka asnjë dokument. Ata kanë dorëzuar iniciativa për ndërtimin e figurave historike me rëndësi para këshilltarëve të Komunës Qendër.
Zdraev është arrestuar dje në Tabanoc, ndërsa Todoroviq në Aeroportin e Shkupit, teksa kthehej nga Zagrebi.
Emri i koduar i kësaj lënde është “Feniks”./Telegrafi/